Kosova zhvillon dy ndeshje në mars, ‘Dardanët’ duan rikthimin e gjallërisë në stadium

Tifo grupi i Kombëtares së Kosovës, Dardanët kanë premtuar përkrahje për dy ndeshjet miqësore që Kosova pritet t’i zhvillojë gjatë këtij muaji.

Kosova fillimisht luan me 24 mars, ku në Prishtinë pret kombëtaren e Burkina Faso ndërsa pesë ditë më vonë udhëton në Zurich për tu përballur me Kombëtaren e Zvicrës.

Për këto dy ndeshje Dardanët kanë kërkuar rikthimin e gjallërisë tek kombëtarja.

“Gjatë këtij muaji, më 24 dhe 29 mars, ekipi ynë kombëtar do të përballet me dy kundërshtarë në ndeshje miqësore: Burkina Fason në Prishtinë, gjegjësisht Zvicrën në Zurich. Dardanët në ndeshjen ndaj Burkina Faso premtojnë mbështetje të plotë për djelmoshat tanë në fushë, si dhe organizim e përgatitje që s’do t’i lënë asgjë rastësisë. Duam ta rikthejmë atë gjallëri ku ndeshjet e kombëtares sonë bëhen temë e ditës për çdo kë, në çdo hapësirë, nga secila shtresë moshe”, thuhet në njoftimin e Dardanëve.

Kosova në këto dy ndeshjet miqësore pritet të udhëhiqet nga ana e trajneri të ri francez, Alain Giresse që u zgjodh për selektor të Kosovës me 23 shkurt.