Foto: Atdhe Mulla

Kosova voton, zgjidhen kryetarët dhe asamblistët e 38 komunave

Në Kosovë sot mbahen zgjedhjet lokale, në të cilat do të zgjidhen kryetarët e 38 komunave dhe anëtarët e 38 kuvendeve komunale.

Këto janë zgjedhjet e shtata për kuvendet komunale dhe të pestat për kryetarë të komunave.

Vendvotimet hapen në ora 7:00 dhe mbyllen në ora 19:00.

Numri i qendrave të votimit në gjithë Kosovën është 883 me gjithsej 2,477 vendvotime.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e sotme është 5,364, prej të cilëve 166 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 5,198 kandidatë për kuvende komunale.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për zgjedhjet e sotme janë të regjistruar 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.

Numri i votuesve të rinj, të cilët do të votojnë për herë të parë është 41 mijë e 12 votues, prej të cilëve 24 mijë e 697 kanë arritur moshën 18-vjeç pas datës 14 shkurt 2021 dhe 8 mijë e 937 votues të cilët mund të konsiderohet se janë regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Po ashtu, si votues të rinj, konsiderohen edhe 7 mijë e 378 votuesit të cilët janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe që ishin larguar nga lista votuese sepse kanë pasur vetëm dokumente identifikimi të lëshuara nga UNMIK-u.

KQZ ka njoftuar se numri i emrave të personave që janë larguar si të vdekur nga lista votuese pas zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të datës 14 shkurt 2021 është 18 mijë e 252 votues, ndërsa numri i personave që janë larguar nga kjo listë për arsye se kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës, pas atyre zgjedhjeve është 1 mijë e 158 votues.

Për të votuar, qytetari duhet të ketë njërin prej këtyre dokumenteve të vlefshme të identifikimit: Letërnjoftim, pasaportë, dokument i udhëtimit dhe patentë shofer.

Si të plotësohet fletëvotimi?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka treguar se në zgjedhjet e sotme në vendvotim votuesi do të marrë dy fletëvotime:

Fletëvotimin për kryetar komune, i cili është me kornizë ngjyrë të verdhë, ku janë të renditur emrat e kandidatëve, dhe votuesi duhet të votojë vetëm një kandidat/e;

Fletëvotimin për kuvend komunal, i cili është me kornizë ngjyrë të kaltër, në anën e majtë, votuesi voton vetëm një subjekt politik, kurse në anën e djathtë të tij voton vetëm një kandidat/e.

Pra, për kuvend komunal votuesi voton vetëm një subjekt politik dhe vetëm një kandidat/e.