Kosova votoi - Lajm në zhvillim

Të dielën më 09.02.2025 u mbajtën zgjedhjet e rregullta për Kuvendin e Kosovës. Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me vota prin LVV-ja, pasuar me PDK-në, LDK-në, AAK-në e Nismën, Listën Serbe, e Koalicionin për Familje. Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.


00:03 – Pas problemeve në faqen e KQZ-së, presidentja Osmani kërkon që çdo votë të numërohet saktë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar që të mbrohet integriteti i procesit zgjedhor, duke siguruar që çdo votë të numërohet saktë.

Kështu njofton Presidneca përmes një njoftimi të lëshuar të dielën, më 09.02.2025. 

“Ajo ka shprehur pritshmërinë që KQZ-ja do të përfundojë me sukses numërimin e votave brenda mbrëmjes së sotme. Megjithatë, pas dështimit të softuerit, informacion ky i konfirmuar nga KQZ-ja, Presidentja ka kërkuar që të mbrohet integriteti i procesit zgjedhor, duke siguruar që çdo votë të numërohet saktë”- thuhet në njoftim

Ndërkaq, Presidenca shkruan se Osmani ka përgëzuar qyetatarët e Kosovës që, sipas saj, edhe në këtë proces zgjedhor kanë treguar kulturë të lartë demokratike. 

Në njoftim theksohet se presidentja do të vazhdojë që të jetë në kontakt me institucionet përkatëse deri në sigurimin e plotë që i gjithë procesi zgjedhor, përfshirë numërimin dhe publikimin e rezultateve, të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta demokratike dhe në përputhje me vullnetin qytetar.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka njoftuar se për shkak të dështimit të sistemit, së bashku me stafin do të punojnë gjithë natën për të futur të dhënat manualisht në sistem.

“Stafi i KQZ-së dhe ne anëtarët e KQZ-së do të jemi gjithë natën në objekt dhe do të punohet në të gjitha të dhënat nga formularët nga vendvotimet të futën manualisht në sistem”- tha ai në konferencë për media.

Radoniqi tha se nuk do të ketë publikim periodik dhe nuk kanë informacion se pse ka ndodhur një dështim i tillë në sistem.

KQZ do të procesojë manualisht të dhënat nga formularët, nuk ka publikim periodik

 

Sipas rezultateve preliminare pas numërimit të 73 për qind e votave, KQZ njofton se Lëvizja Vetëvendosje prin me 42 për qind të votave, e ndjekur nga PDK me 22.7, LDK 17.9, koalicioni AAK-NISMA 7.56 për qind.

Votues të regjistruar për zgjedhjet e 09.02.2025 ishin 1.970.944 ndërsa kanë votuar mbi 40 për qind e tyre.

23:53 – Rezultatet preliminare: Prin LVV me 41.99 për qind

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) prin për nga numri i votave sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) me 41.99 për qind të votave.

Partia e dytë me më së shumti vota deri më tani është renditur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.68 për qind; partia e tretë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ME 17.90 për qind; partia e katërt AAK-Nisma me 7.56 për qind; Lista Serbe me 7.56 përqind; Koalicioni për Familje me 2.29 për qind.

Deri më tani janë procesuar 73.04 për qind e vendvotimeve, apo 1,850 nga 2,533 vendvotime.

Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti ka thënë se do ta themeloj Qeverinë Kurti III me koalicionin e tyre me Listën Guxo dhe Alternativa.

“Koalicioni ynë fitues do ta themelojë qeverine e re, Kurti 3 dhe do të vazhdojmë punët e mira”- tha ai për media.

Kurti tha se nuk ka pasur incidente dhe gjithçka ka shkuar sipas ligjit dhe rregullave, duke falenderuar policinë dhe organet në përgjithësi. 

“E kanë dëshmur qytetarët rezistencën e dytë përkundër një lufte hibride e oligarët, sidomos njëri prej tyre, kanë shpenzuar pa hesap dhe kanë kërcënuar punëtorët dhe përkundër të gjithave – populli fitoi, fitoi LVV dhe subjekti që do ta formojë qeverinë. Të gjtihë e kanë të qartë se ata që janë në vendin e dytë dhe te trëtë edhe po të bëhen bashkë nuk mund të bëhen sa LVV”- tha Kurti te objekti i LVV-së.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur publikimin e rezultateve preliminare të zgjedhjeve parlamentare të së dielës 09.02.2025.

23:39 – Kurti: Do ta formojmë Qeverinë Kurti 3

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se do ta themelojë Qeverinë Kurti III me koalicionin e tyre me Listën Guxo dhe Alternativa.

“Koalicioni ynë fitues do ta themelojë Qeverinë e re Kurti 3 dhe do të vazhdojmë punët e mira”- tha ai për media para selisë së partisë së tij.

Kurti tha se nuk ka pasur incidente dhe gjithçka ka shkuar sipas ligjit dhe rregullave, duke falënderuar policinë dhe organet në përgjithësi.

“E kanë dëshmuar qytetarët rezistencën e dytë përkundër një lufte hibride e oligarkëve, sidomos njëri prej tyre, kanë shpenzuar pa hesap dhe kanë kërcënuar punëtorët dhe përkundër të gjithave – populli fitoi, fitoi LVV dhe subjekti që do ta formojë qeverinë. Të gjithë e kanë të qartë se ata që janë në vendin e dytë dhe te tretë edhe po të bëhen bashkë, nuk mund të bëhen sa LVV”- tha Kurti te objekti i LVV-së.

23:38 – KQZ do të procesojë manualisht të dhënat nga formularët, nuk ka publikim periodik

Kreshnik Radoniqi, kryetar i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) ka njoftuar se për shkak të dështimit të sistemit, së bashku me stafin do të punojnë gjithë natën për të futur të dhënat manualisht në sistem.

“Stafi i KQZ-së dhe ne anëtarët e KQZ-së do të jemi gjithë natën në objekt dhe do të punohet në të gjitha të dhënat nga formularët nga vendvotimet të futën manualisht në sistem”- tha ai në konferencë për media.

Radoniqi tha se nuk do të kenë publikim periodik, dhe nuk kanë informacion se pse ka ndodhur një dështim i tillë në sistem.

“Deri në futjen e të gjitha të dhënave ndoshta në 3 të mëngjesit, ndoshta në 4. Nuk mund të them”- tha ai.

I pyetur nëse do të hetojë Prokuroria, ai tha se nëse Prokuroria mendon se duhet të hetojë diçka është në kompetencën e tyre.

“Ai tha se do të bëjnë procesimin, do t’i mbledhin të gjitha të dhënat dhe do t’ii publikojnë. Tash a i publikojmë përmes mediave apo konference nuk e di. Është vonë për konferencë”- tha ai.

Për këtë dështim të sistemit, ai tha se do të kenë një analizë.

23:36 – LVV organizon tubim në mesnatë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se në mesnatë do të mblidhen në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Sipas njoftimit, në këtë tubim do të jetë edhe kryeministri Albin Kurti.

Kandidati i LVV-së për kryeministër Albin Kurti ka thënë se do ta themelojë Qeverinë Kurti e re me koalicionin me Partinë Guxo dhe Alternativën.

“Koalicioni ynë fitues do ta themelojë Qeverine e re Kurti 3 dhe do të vazhdojmë punët e mira”- tha ai për media.

Kurti tha se nuk ka pasur incidente dhe gjithçka ka shkuar sipas ligjit dhe rregullave, duke falënderuar Policinë dhe institucionet e tjera.

Sipas rezultateve preliminare pas numërimit të 73 për qind e votave, KQZ njofton se Lëvizja Vetëvendosje prin me 42 për qind të votave, e ndjekur nga PDK me 22.7, LDK 17.9, koalicioni AAK-NISMA 7.56 për qind.

Votues të regjistruar për zgjedhjet e 09.02.2025 ishin 1.970.944 ndërsa kanë votuar mbi 40 për qind e tyre.

23:32 – Ekipi i BIRN-it pengohet në monitorimin e zgjedhjeve në shkollën “Kralj Millutin” në Graçanicë

Ekipa e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese ka qenë prezent për vëzhgimin e procesit zgjedhor në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët, Kralj Millutin në Graçanicë.

Më të përfunduar procesi i mbylljes dhe bartjes së kutive të votimit në vendin ku bëhet grumbullimi i tyre, vëzhguesit kanë hasur në një zarf të mbyllur i cili ishte lënë në njërën nga klasat e kësaj shkolle.

Me të parë këtë zarf, vëzhguesit e BIRN-it kanë incizuar ngjarjen me qëllim provimi të ndonjë dyshimi eventual të keqpërdorimit.

Por, gjatë xhirimit të kësaj ngjarje, ekipa është penguar nga një person i cili dyshohet të jetë person i autorizuar nga KQZ.

I njëjti ka filluar të ofendoj dhe të kërkoj e bëjë presion tek vëzhguesit që të fshihen të gjitha incizimet.

Për këtë rast madje janë ftuar edhe një ekipë e policisë të cilët kanë marrë të dhënat e vëzhgueseve për të proceduar rastin tutje në Polici.

23:25 – Një orë para mesnatës, votojnë pacientët në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK

Pacientët e shtrirë në Klinikën e Pulmologjisë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) jane duke votuar edhe pse ora ka shënuar 23:05 minuta.

Lajmin e ka konfirmuar drejtori i kësaj Klinike, Musa Hoxha për KALLXO.com.

“Po janë duke votu. Edhe Policia është aty. Ekipet mobile janë vonu nëpër klinika tjera e iu ka mundësu me votu edhe tash”- tha ai për KALLXO.com.

Hoxha tha që në bazë të informatave që posedon, një gjë e tillë është mundësuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se kanë ekipet mobile kanë mbërri vonë.

“Saktësisht të dhënat nuk i kam por një informacion që e kam është që shumë vonë ekipet mobile kanë fillu me i mbledh votat, andaj nuk kanë arrit me i marr votat nga këta persona”- tha Radoniqi.

22.42

Lushtaku: PDK ka fituar 80 për qind të votave në Skenderaj

Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka thënë se partia e tij, PDK, në komunën e Skenderajt në zgjedhjet e sotme parlamentare ka fituar 80 për qind të votave.

Lushtaku ka falënderuar 17 mijë votuesit që sipas tij kanë votuar për PDK-në.

Sipas rezultateve preliminare pas numërimit të afër 51 për qind e votave, KQZ njofton se Lëvizja Vetëvendosje prin me 37.5 për qind të votave, e ndjekur nga PDK me 29.8, LDK 16.3, koalicioni AAK-NISMA 7.9 për qind.

Votues të regjistruar për zgjedhjet e 09.02.2025 ishin 1.970.944 ndërsa kanë votuar mbi 40 për qind e tyre.

Rezultatet preliminare 

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka nisur publikimin e rezultateve preliminare të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025. Ndiqni rezultatet direkt minutë pas minute:

21:59 – Problemet me ueb-faqen, deklarohen nga KQZ

21:54 – Vetura me flamuj të LDK-së e UÇK-së para selisë së LVV-së në Prishtinë

 

Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi ka thënë se për shkak të interesimit të madh të qytetarëve për t’u qasur në platformën e rezultateve, është shkaktuar mbingarkesë në sistem. 

“Të gjitha ekipet e KQZ-së janë duke punuar në terren dhe duke dërguar të dhënat të cilat po bëjmë përpjekje që t’i transmetojmë në kohë sa më të shpejtë”- tha Elezi për KALLXO.com.

Ai tha se KQZ është duke mbledhur të dhënat pas numërimit të fletëvotimeve nga vendvotimet. Janë evidente probelemet teknike në platformë. 

“Të dhënat janë duke u mbledhur nga terreni dhe më pas do të publikohen nga KQZ”- shtoi ai.

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ia ka huqur me përditësimin e të dhënave për qytetin e Pejës.

Në të dhënat e KQZ-së për qytetin e Pejës, figuron që Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 96.44% të votave, nga 16.67% të votave të numëruara.

Kjo përqindje, në numër, sipas të dhënave të KQZ-së ishin 113,371 vota. Të njëjtat rezultate menjëherë kanë filluar të shpërndahen në TikTok e rrjetet tjera sociale.

Ndërsa, të dhënat e KQZ-së për pjesëmarrjen në votime, në Pejë kishin marrë pjesë 41,009 persona.

Kjo konstaton se ka të dhënat e vendosura në ueb-faqen e KQZ-së nuk ka mundësi të jenë të sakta.

Deri më tani nuk ka pasë ndonjë reagim nga KQZ në lidhje me këtë cështje.

Momentalisht, faqja e KQZ-së është jashtë funksionit.

Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.

Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë zgjedhjet e gjashta me radhë që u mbajtën që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17.02.2008.

21:38 – Huqja e KQZ-së me rezultatet preliminare në Pejë, 96.44 për qind të votave ia vendos LVV-së

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ia ka huqur me përditësimin e të dhënave për qytetin e Pejës.

Në të dhënat e KQZ-së për qytetin e Pejës, figuron që Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 96.44% të votave, nga 16.67% të votave të numëruara.

Foto nga KQZ.
Foto nga KQZ.

Kjo përqindje, në numër, sipas të dhënave të KQZ-së ishin 113,371 vota. Të njëjtat rezultate menjëherë kanë filluar të shpërndahen në TikTok e rrjetet tjera sociale.

Ndërsa, të dhënat e KQZ-së për pjesëmarrjen në votime, në Pejë kishin marrë pjesë 41,009 persona.

Kjo konstaton se ka të dhënat e vendosura në ueb-faqen e KQZ-së nuk ka mundësi të jenë të sakta.

21:28 – Prokurori i Shtetit ndalon 8 persona për veprat penale kundër të drejtave të votimit

Prokurori i Shtetit ka njoftuar se gjatë ditës së sotme ka ndaluar tetë persona të dyshuar për veprat penale kundër të drejtave të votimit.

Në një njoftim për media Prokurori i Shtetit bëri të ditur se gjatë ditës së sotme ka pranuar disa informata dhe pas verifikimit të tyre deri në mbyllje të procesit të votimit, janë hapur katër raste, kundër tetë personave, kurse informatat tjera janë duke u trajtuar.

Sipas njoftimit, Prokuroria Themelore në Mitrovicë pas informatave të pranuara nga qytetarët, ka iniciuar dy raste të ndryshme që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit.

Në rastin e parë ka ndaluar katër persona, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale: “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, në rastin e dytë ka ndaluar një person, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti me veprimet e tij ka kryer veprën penale: “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka iniciuar dy raste të ndryshme që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit.

Në rastin e parë ka ndaluar një person, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti me veprimet e tij ka kryer veprën penale: “Sulm ndaj personit zyrtar”, nga neni 402 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, në rastin e dytë ka ndaluar dy persona, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale: “Parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar”, nga neni 209 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

20:50 – Zgjedhjet, reagimi i LVV-së

Ministrat Hekuran Murati e Hajrulla Çeku hyjnë në seli së LVV-së: “Është rezultat shumë i mirë… Exit-Poll’et japin veç indikacion, keni durim, prisni edhe pak.”

20:40 – Zgjedhjet, reagimi i LDK-së

“Të dhënat tona tregojnë që LDK ka së paku dyfishim të votave” – Besian Mustafa nga LDK.
Konferenca për media e LDK-së:

20:37 – Haradinaj: Pres me padurim që të bashkëpunojmë me opozitën për krijimin e Qeverisë

Kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit AAK-Nisma, Ramush Haradinaj është deklaruar pas përfundimit të votimeve.

Ai tha se e gëzon fakti që “opozita i ka fituar këto zgjedhje”, duke iu referuar rezultateve të exit-polleve.

“I uroj fitoren opozitës dhe pres me padurim që të bashkëpunojmë për krijimin e Qeverisë”- tha ai në konferencë për media.

20:35 – Zgjedhjet, reagimi i PDK-së 

“Jemi shumë më mirë se sa rezultatet e exit-polleve të publikuara” – Blerand Stavileci (PDK).
Konferenca për media e PDK-së:

20:32 – Policia e Kosovës: Procesi zgjedhor kaloi i qetë dhe pa incidente serioze

Policia e Kosovës njofton se pani operacional i paraparë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, është realizuar me sukses në tërë territorin.

Sipas Policisë, zbatimi i i këtij plani, bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional ka ndikuar në mënyrë pozitive që i tërë procesi zgjedhor të kalojë i qetë dhe pa ndonjë incident madhor që do të kishte penguar apo cenuar procesin zgjedhor. Policia vlerëson se në aspektin e sigurisë, procesi zgjedhor ka kaluar i qetë dhe pa incidente serioze.

“Një ndër qëllimet e planit operativo policor, ka qenë inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit, që sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike”- thuhet mes tjerash në njoftim.

Më tej, Policia njofton se ka iniciuar gjashtë raste, janë shoqëruar shtatë persona të dyshuar, katër prej tyre janë dërguar në mbajtje dhe tre të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë e Shtetit, sot ka iniciuar gjashtë (6) raste, prej tyre tri (4) raste të natyrës penale nga kapitulli XVIII i KPRK “Veprat Penale Kundër të Drejtave të Votimit“ dhe dy raste penale “Sulm ndaj personit zyrtar & Kanosje“, me ç ‘rast janë shoqëruar shtatë (7) persona të dyshuar, ku me autorizim të prokurorit katër (4) prej tyre janë dërguar në mbajtje, kurse tre (3) janë liruar në procedurë të rregullt, raste këto të cilat nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”- thuhet në kumtesë.

20:00 – Mesazhi në fletëvotim 

“Bonu njerëz mas pari” – shënimi në një votë të pavlefshme në Gjilan:

 

19:55 – Atmosfera para Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

19:55 – Atmosfera para selisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës

19:54 – Atmosfera para selisë së Partisë Demokratike të Kosovës

19:53 – Atmosfera para selisë së Lëvizjes Vetëvendosje

19:53 – Konjufca në seli të LVV-së

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca në selinë e partisë, nuk prononcohet para mediave – thotë se do të flasin pas orës 23:00. Foto: Arjana Berisha | KALLXO.com | 09.02.2025

19:50 – Direkt – Dalja në votime deri në orën 19:00, të dhënat në procesim të KQZ-së

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka bërë të ditur se deri në orën 19:00 kanë votuar 39.16 për qind e qytetarëve, në procesim të 88.51 për qind të votave.

Linkun me të dhënat që janë në procesim e sipër e e gjeni këtu. 

Sipas këtyre të dhënave, kanë votuar 771,777 qytetarë nga gjithsej 1,970,944 me të drejtë vote.

19:47 – Presidenti i Shqipërisë uron qytetarët e Kosovës për procesin zgjedhor

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj u ka shprehur përgëzime qytetarëve të Kosovës për shprehjen e vullnetit të lirë gjatë votimit këtë të dielë në zgjedhjet parlamentare.

Ai ka potencuar se uron që qeveria e re të vazhdoj punën për të mirën e vendit.

“Qeveria e re e dalë nga zgjedhjet urojmë të vazhdojë punën për të mirën e vendit me zhvillimin e reformave dhe përparimin e progresit ekonomik dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë për një Kosovë të qëndrueshme dhe të aftë për të avancuar në proceset euroatlantike”- është shprehur Begaj.

Kosova sot mbajti zgjedhjet parlamentare ku mbi 1,9 milionë qytetarë kishin të drejtë vote. Të dhënat e para të exit polleve nxjerrin partinë në pushtet LVV, si fituese me mbi 40%.

19:41 – LVV-ja drejtuar komisionerëve dhe vëzhguesve: Ju lutemi për vigjilencë

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pasi është përmbyllur procesi i votimit në ora 19:00 më 09.02.2025.

LVV-ja ka kërkuar nga komisionerët dhe vëzhguesit e zgjedhjeve që të tregohen vigjilentë dhe “të përkushtohen ndaj mbrojtjes së votës”.

“Të dashur vëzhgues dhe komisionerëve, ju jeni mbrojtësit e vullnetit popullor andaj vigjilencë dhe përkushtim për mbrojtjen e votës. Punë të mbarë!”- thuhet në postimin e LVV-së në Facebook.

Në bazë të rezultateve të Exit polleve të prezantuara nga mediumet prin për nga numri i votave Lëvizja Vetëvendosje.

Exit poll-i i KOHA.net e vendosë 42.3 për qind LVV-në, 21.3 për qind për PDK, 20.4 për qind për LDK, 6.3 për Koaliconin AAK- NISMA, 2.1 për qind për Listën për Familje.

Exit poll-i i RTV Dukagjinit 40.3 përqind LVV,  21.4 PDK, 19.3 përqind LDK, 7.2 për qind, AAK-Nisma.

Exit poll-i i Klan Kosova 38.02  LVV, 22.4 PDK, 20.1 LDK, 7.6 AAK-NISMA.

Exit poll-i T7 37 përqind për LVV, 23 për qind për PDK, 20 për qind LDK dhe 8 për AAK-Nisma.

19:23 – Kjo është përqindja e votave të fituara nga partitë sipas rezultateve të exit-polleve

Në bazë të rezultateve të exit-polleve të prezantuara nga mediumet në ora 19:00 prin për nga numri i votave Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas projeksionit të KOHA-s, LVV ka fituar 42.3 për qind të votave, 21.3 për qind PDK, 20.4 për qind LDK, 6.3 për koaliconin AAK- NISMA, 2.1 për qind Lista për Familjen.

Sipas exit-poll-it të publikuar nga RTV Dukagjini, LVV ka fituar 40.3 për qind të votave,  PDK 21.4 për qind, LDK 19.3 për qind, AAK-Nisma 7.2 për qind.

Exit poll-i publikuar nga Klan Kosova, LVV 38.02 , PDK 22.4, LDK 20.1, AAK-NISMA 7.6 për qind.

Exit poll-i i “Albanian Post” dhe T7, LVV 37 për qind, PDK 23 për qind, LDK 20 për qind dhe AAK-NISMA 8 për qind.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe janë mbyllur në ora 19:00.

Të dhënat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë për 1 milion e 970 mijë e 944 votues me të drejtë vote.

18:50 – Votimet në Gjilan 

Broshurat e kandidatit për deputet shihen në oborrin e shkollës – qendra e votimit “Selami Hallaqi” në Gjilan. Raporton gazetarja, Adelinë Ahmeti.

18:47 – Votimet në Mitrovicë të Veriut 

Gazetari Behar Mustafa xhiro me veturë në Mitrovicën e Veriut – Cila është gjendja në rrugët e veriut e në qendrat e votimit? Cilat janë të dhënat e fundit për daljen në votime?

18:44 – Mitrovicë: Posedonte fletushka të fotokopjuara dhe të zbrazëta për t’i udhëzuar votuesit, rasti po trajtohet nga Prokuroria

Prokurori Njazi Rexha ka konfirmuar për KALLXO.com se janë lajmëruar dy raste na Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Sipas tij njëri ka ndodhur në shkollën “Musa Hoti” në Frashër e tjetri në shkollën “Fazli Grajqevci” në Shipol.

Në qendrën në Frashër një person ka ngatërruar rubrikën.

“Ky rast është konstatuar si gabim, është rregulluar me komision”- ka thënë Rexha.

Ndërsa në qendrën në Shipol një person dyshohet se ka poseduar fletushka të fotokopjuara dhe të zbrazëta për t’i udhëzuar qytetarët.

“E kanë identifiku një person që po sillet aty pari e që i njejti, ka fletushka të zbrazëta, të fotokopjume, që i ka udhëzu qysh duhet të votohet”.

Ai tha se rasti po trajtohet.

Zveçan: Një grua shoqërohet në Polici, dysohet se fotografoi fletëvotimin

Arrestohen dy persona për sulmin ndaj kryetarit të fshatit në Pozheran

Podujevë, arrestohet një i dyshuar për sulm ndaj policit në qendër të votimit

Fotoja e Millosheviqit në një qendër votimi në Pasjan, po trajtohet nga Prokuroria e Gjilanit

18:10 – Votimet në Pejë 

Një orë para se të mbyllen qendrat e votimit, në Pejë vazhdon të ketë votues – Sa është numri i votuesve në Pejë, sipas matjeve të fundit? Raporton gazetari Valon Fana.

 

17: 58 – Votimet në Skenderaj 

Raportim nga Likoci i Skenderajt – Xheneta Murtezaj sjell të dhënat e fundit nga Skenderaj – Sa është numri i votuesve sipas matjeve të fundit?

17:55 – Votimet e mbrëmjes në Vushtrri 

Në Vushtrri po vazhdon votimi edhe gjatë orëve të mbrëmjes – Gazetarja Veronë Zymberi sjell të dhënat e fundit nga ky qytet.

17:52 – Ankesat e menaxherëve të qendrave në Ferizaj e Shtime

Ankesat e menaxherëve të qendrave në Ferizaj e Shtime: Mungesa e tavolinës ndihmëse, krijoji radhë të gjata të pritjes – Mediana Halili nga KALLXO.com, sjell të dhënat e fundit për numrin e votuesve deri ora 15:00 në këto dy qytete.

17:50 – Votimet në Gjakovë

Të dhënat e fundit nga Gjakova – Sa është numri i votuesve sipas matjeve të fundit? Raporton gazetari i KALLXO.com, Egzon Dahsyla.

17:47 – Votimet në Prizren 

Gazetari Arton Hamiti raporton nga Prizreni për procesin zgjedhor – Kjo është gjendja në qendrën e votimit në Gjimnazin ‘Gjon Buzuku’.

17:45 – Procesi i votimit sipas KQZ-së

Zgjedhjet parlamentare – shqetësimet se shenja matrikuluese në gisht po fshihet lehtë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi thotë se shenja që vendoset në gisht para votimit, nuk është e vetmja masë sigurie.

17:35 – Deri më tani mbi 200 qytetarë kanë votuar me kusht në Podujevë

Në qendrën e vetme të votimit me kusht në Podujevë “Enver Maloku” deri më tani kanë votuar me kusht 275 qytetarë.

Kështu ka deklaruar për KALLXO.com, menaxheri i qendrës së votimit “Enver Maloku”, Agim Hamza.

Hamza tha se qendra e votimit me kusht “Evner Maloku” është hapur në ora 07:00, por kanë pasur një vështirësi.

17:30 – Votimet në veri 

Shpenzohen fletëvotimet me kusht në Zubin Potok, komisionerët nuk dinë nëse do të vijnë fletëvotimet e reja – Behar Mustafa me detaje nga Zubin Potoku:

16:57 – Dita e zgjedhjeve, KEDS thotë se është mobilizuar për furnizim të rregullt me rrymë

Në ditën e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), ka deklaruar se ka mobilizuar ekipet për t’u përkujdesur për furnizim të rregullt me energji elektrike.

Ekipet e KEDS-it, thuhet se janë shpërndarë në të gjitha lokalitetet në vend dhe po qëndrojnë në dispozicion për çdo rast në të cilin mund kërkohet ndërhyrja e tyre.

“Në të gjitha distriktet, që në orët e para të ditës së sotme, ekipe të shumta të KEDS-it janë mobilizuar që të përkujdesen për furnizim të rregullt me energji elektrike”-thuhet në njoftimin e KEDS-it.

16:39- Elezi (KQZ): Shenja që vendoset në gisht s’është e vetmja masë sigurie për procesin e votimit

Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valmir Elezi ka thënë se shenja që vendoset në gisht para votimit nuk është e vetmja masë sigurie në procesin e votimit. Kështu u përgjigj ai pas ngritjes së shqetësimeve gjatë ditës se shenja matrikuluese po fshihet lehtë.

“Çdo person duhet qe përmes dokumenteve të nënshkruhet në hapësirën të emri i tyre duke konfirmuar qe po marrin pjesë në votim”- tha Elezi në konferencë për media.

Ky nënshkrim, sipas tij, ia pamundëson votuesit të votoj më shumë se një herë.

“Dyshimet për keqpërdorimet eventuale vërtetohen lehtësisht edhe përmes kamerave”- tha ai.

16:36 – Zveçan: Një grua shoqërohet në Polici, dysohet se fotografoi fletëvotimin

Zgjedhjet 2025. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Në qytetin e Zveçanit është arrestuar një grua në mesditë, pasiqë e njëjta dyshohet se ka fotografuar fletëvotimin.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.

“Gjatë ditës së sotme nuk ka pas ndonjë incident, përveç tani në këto momente, pra 30 miuta e kemi sjellë një person në stacionin policor në Zveçan për arsye se dyshohet se e njëjta e ka fotografuar votën e vet”-ka thënë  Elshani për KALLXO.com.

Ndërsa, pas konsultimit me prokurorin mbetet të shihet së si do të veprohet tutje lidhur me rastin, ka thënë  Elshani.

Ndër të tjera, Elshani konfirmoi së janë kryer edhe verifikime kohë pas kohe, mirëpo gjithçka ka shkuar mirë deri në këto momente.

16:09 – Dalja në votime sipas të dhënave të KQZ-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po përditëson të dhënat zyrtare në lidhje me daljen në votime në zgjedhjet parlamentare të së dielës, përmes ueb-faqes.

Pjesëmarrjen në zgjedhje të qytetarëve deri në orën 15:00 mund ta shihni në këtë LINK.

15:42 – Arrestohen dy persona për sulmin ndaj kryetarit të fshatit në Pozheran

Kryetari i fshatit Pozheran në qytetin e Vitisë, Ilir Zuka, i cili është edhe këshilltar komunal, dyshohet së është sulmuar nga persona të panjohur deri sa ka qenë në shoqëri të vëzhguesve të Komisionit Evropian.

Dy personat e dyshuar për sulmin ndaj tij janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt.

Lajmin per KALLXO.com e ka konfirmuar Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës në Gjilan.

“Mund të ju them se nuk lidhet me proces zgjedhor, dy persona janë arrestuar dhe janë liruar në procedurë të rregullt. Rasti është cilësuar si sulm”- tha Hashani për KALLXO.com më 09.02.2025.

Ngjarja ka ndodhur jashtë shkollës “Kongresi i Manastirit” e cila po shfrytëzohet si qendër votimi në Pozheran.

14:56 – Shtime: Dyshohet se buka u mbështoll me fletë që i ngjason fletëvotimit

Foto e siguruar nga KALLXO.com.

KALLXO.com ka pranuar informatën se në qendrën e votimit “Naim Frashëri” në Shtime, dyshohet se dreka që ishte porositur për vëzhguesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëra prej tyre ishte mbështjellur me një fletë që i ngjason fletëvotimit, në të cilin është shënjuar në kolonat për katër kandidatë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Fleta që i ngjason fletëvotimit duket se është plotësuar tek numri 1,3, 48 dhe 73.

Drejtori i shkollës “Naim Frashëri” me numër 2201, njëherësh menaxher i qendrës së votimit, Rexhep Hasani tha se janë duke u përpjekur të gjejnë se kush e ka lënë.

“Para 5 minutave e kemi gjet. është gjet në ushqimin në këto keset. Jemi t`u përpjekë me kqyr kush e ka lonë . Tash do i kryej të gjitha obligimet për raportime më tutje”- tha ai për  KALLXO.com.

Ndërsa, Rrahman Jakupi, kryetar i PDK-së në Shtime tha se nuk kanë “asgjë” dhe le ta trajtojnë Policia.

“Na nuk kemi informata deri me tani. Nuk më është raportu asgjë. Le ta trajtojnë Policia, deri tash nuk më ka raportu kurgjo”- tha Jakupi për KALLXO.com.

Në lidhje me këtë rast, Policia tha për KALLXO.com “që është udhëzim, format A4, fletëvotimet janë A3”.

14:37 – Sulmohet kryetari i fshatit Pozheran në Viti, ishte nën shoqërimin e vëzhguesve të Komisionit Evropian

Kryetari i fshatit Pozheran në qytetin e Vitisë, Ilir Zuka, i cili është edhe këshilltar komunal, dyshohet së është sulmuar nga persona të panjohur deri sa ka qenë në shoqëri të vëzhguesve të Komisionit Evropian.

“E kemi një rast, Ilir Zuka është kryetar i fshatit në Pozheran, njëkohësisht është këshilltar komunal deri sa ishte në shoqërim me pjesëtarë të Komisionit Evropian që janë edhe vëzhgues kanë qenë në qendrat Pozhoran 2606, në dalje t’u ecë, t’u shku në kafe kanë dalë 2-3 veta nga veturat dhe e kanë sulmuar. Sulmi ka ndodhur edhe në prani të zyrtarëve komisionerëve evropianë. Rasti është raportu edhe në polici”- tha për KALLXO.com, nënkryetari i Komunës së Vitisë Hasan Aliu.

Ndërsa, Policia e Gjilanit ka konfirmuar për KALLXO.com se kanë pranuar rastin dhe janë duke e trajtuar.

14:29 – Arrestohet një person për fotografim të votës në Vushtrri

Një person është arrestuar nën dyshimin për fotografim të votës në Gracë të Vushtrrisë.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com Njazi Rexha, prokuror në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

“Po është e vërtetë”- ka thënë prokurori Rexha.

14:13 – Voton Glauk Konjufca

Foto: Glauk Konjufca në Facebook.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka shfrytëzuar të drejtën e votës në Qendrën e Votimit në Fakultetin Ekonomik.

“Së bashku me gruan time të dashur, Emirën, sot dolëm dhe votuam. Në demokraci fjala kryesore është e popullit. E që zëri të jetë i qartë dhe i lartë, dilni sa më shumë, dilni të gjithë”- ka shkruar ai në Facebook.

14:03 – Agjencia për Informim dhe Privatësi me thirrje për KQZ-në dhe Partitë Politike

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), në ditë kur qytetarët e Kosovës po ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, i ka bërë thirrje Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) ) që gjatë procesit të votimit të sigurojë vendosjen e kamerave të sigurisë dhe kabinave të votimit në përputhje të plotë me Ligjin Nr 06/L-82 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke shmangur çdo cenim të privatësisë së qytetarëve dhe fshehtësisë së votës.

Gjithashtu, AIP ju ka bërë thirrje edhe partive politike për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve me të cilët janë në komunikim.

“Agjencia po ashtu përsërit kërkesën për Partitë Politike për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve në komunikimet nëpërmjet postës elektronike (e-mail), mesazhet (SMS) dhe thirrjeve telefonike, pa pëlqim paraprak”- siç njofton AIP.

Ndër të tjera, AIP ka theksuar se “çdo shkelje e parimeve të mbrojtjes së të dhënave personale do të trajtohet në përputhje me Ligjin  Nr 06/L-82 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe  kompetencat ligjore të Agjencisë”.

13:58 – Rast i dyshuar për fotografim të votës në fshatin Suriganë të Skenderajt

Në qendrën e votimit në fshatin Suriganë të Skenderajt është raportuar një rast të mundshëm të fotografimit të votës.

Menaxherja e qendrës së votimit, Vezire Demiri ka thënë për KALLXO.com se lidhur me rastin është njoftuar Policia e Kosovës.

Sipas saj, vëzhguesja e ka pa personin me telefon dhe i ka njoftuar për rastin.

“Për ketë rast është marrë Policia, ka qenë i kanë marrë informacionet. Sipas vëzhgueses ajo e ka pa me telefon, nuk e ka pa duke e fotografu voton, por kur e ka pyet ‘a e ke fotografu votën’, ai ka thënë po edhe ka dalë”- ka thënë Demiri.

13:27 – Adresat e qendrave për votimin me kusht në të gjitha qytetet e Kosovës

Sipas KQZ-së janë 38 qendra votimi me kusht, me gjithsej 58 vendvotime:

13:23 – Stavileci nga PDK: Gjithçka po shkon qetë

Foto:PDK

Zëdhënësi i fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerand Stavileci tha se procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të qetë, demokratike dhe pa ndonjë problematikë të raportuar deri më tani.

Ai përmes një konference për media ka inkurajuar qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Stavileci tha se zgjedhjet nuk janë vetëm një e drejtë kushtetuese, por një akt i drejtpërdrejtë që përcakton kursin e vendit tonë për katër vitet e ardhshme.

“Vota është forca më e madhe që ka një qytetar, dhe vetëm përmes saj mund të garantojmë një qeverisje që punon për zhvillimin ekonomik, për mirëqenien e qytetarëve dhe për një Kosovë më të fortë dhe më të drejtë”- shtoi ai.

Stavileci tha se procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të qetë, demokratike dhe pa ndonjë problematikë të raportuar deri më tani.

13:20- Ambasadori britanik vëzhgon procesin zgjedhor në dy komuna në veri të Kosovës

Jonathan Hargreaves, ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë ka kaluar mëngjesin në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut për të parë për së afërmi procesin zgjedhor.

Përmes një video-inçizimi, ai bëri të ditur se gjatë ditës do të vazhdojë edhe nëpër qytete tjera të Kosovës.

“Është madhështore që Ambasada britanike ka gjashtë ekipe nëpër Kosovë si pjesë e ekipeve ndërkombëtare që janë duke vëzhguar këto zgjedhje”- tha ai.

Hargreaves inkurajoi qytetarët e Kosovës të dalin të shfrytëzojnë të drejtën e votës.

13:13 – Menaxheri i Qendrës së votimit në Banullë, Lipjan: Në lista figurojnë emrat e personave të vdekur

Menaxheri i qendrës së votimit, “Emin Duraku” në fshatin Banullë të Lipjanit, Raif Sadiku tha për KALLXO.com se në këtë qendër nuk janë pastruar listat e votimit.

Ai thotë se në listat e votuesve është vërejtur se ka të dhëna të personave që kanë vdekur.

12:45- Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë vëzhgon nga afër procesin zgjedhor

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka vizituar një qendër votimi në Vushtrri për të parë nga afër procesin zgjedhor. 

“BE-ja ka vendosur Misionin e Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së në Kosovë 2025 për të vëzhguar të gjitha aspektet e këtij procesi. Populli i Kosovës duhet të ushtrojë të drejtën e votës dhe të shprehë lirisht zgjedhjen e tij”- ka shkruar ambasadori Orav në X.

12:22 – Mbi 23 mijë votues më shumë se në vitin 2021 kanë votuar deri në orën 11:00

Zgjedhjet 2025. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

23,296 votues kanë votuar më shumë në zgjedhjet e vitit 2025 deri në orën 11:00, sesa në zgjedhjet paraprake parlamentare të vitit 2021.

Nga gjithsej 1,970,944 qytetarë që kanë të drejtë vote, 169,032 prej tyre kanë votuar deri ne ora 11:00.

Në përqindje numri i votimeve sipas Komisionit Qendror Zgjedhor është 8.58 në të gjithë Kosovën.

“Nga gjithsej 1,970,944 qytetarë që kanë të drejtë vote, deri 169,032 prej tyre kanë votuar deri ne ora 11”- njoftoi KQZ.

Ndërsa në vitin 2021, sipas të dhënave të KQZ-së, deri në orën 11:00 kishin votuar 8.29 % të votuesve, apo 145,763 qytetarë nga gjithsej 1,794,862.00.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do mbyllen në ora 19:00.

12:05- Presidentja Osmani fton qytetarët të marrin pjesë në procesin që determinon parlamentin dhe institucionet tjera

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka votuar rreth orës 11:45 në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik në Prishtinë.

Osmani ka pritur disa minuta në radhë për të votuar, derisa një numër i qytetarëve që ishin në rend para saj, e kanë përfunduar procesin e votimit.

Pas votimit, e para e shtetit është deklaruar për media duke thënë se sot është ditë vendimtare.

Osmani ka ftuar qytetarët të votojnë, pasi sipas saj, nga ky process determinohet parlamenti i ardhshëm.

“Kosova është demokracia më e zhvilluar në rajonin tonë. Sot është ditë vendimtare që të gjithë qytetarët e Kosovës të japin kontributin në këtë drejtim duke marrë pjesë në procesin me të rëndësishëm nga i cili determinohet parlamenti i ardhshëm, pastaj edhe institucionet e tjera. Edhe merren vendime që kanë rëndësi për kualitetin e jetës së tyre dhe të gjithë vendit tonë”- ka thënë ajo.

Osmani u ka uruar suksese të gjithë atyre që kandiduan në këto zgjedhje.

“Është edhe moti i mirë sot- me diell dhe është pak më lehtë të votohet. Besoj i kanë informatat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për qendrat e votimit”- tha ajo.

11:59 – KQZ: Deri në ora 11:00 pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje 8.58 për qind

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka bërë të ditur se deri në orën 11:00 kanë votuar 8.58 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

“Nga gjithsej 1,970,944 qytetarë që kanë të drejtë vote, 169,032 prej tyre kanë votuar deri ne ora 11:00”- njoftoi KQZ.

Zgjedhjet 2025 – Foto: Denis Sllovinja | KALLXO.com | 09.02.2025

11:32 – Fotoja e Millosheviqit në një qendër votimi në Pasjan, po trajtohet nga Prokuroria e Gjilanit

Një fotografi e Sllobodan Millosheviqit është identifikuar në një shkollë e cila shërben edhe si qendër votimi në fshatin Pasjan të Gjilanit. 

KALLXO.com ka marrë vesh se brenda njërën nga qendrat e votimit në fshatin Pasjan, në kabinetin e informatikës është gjetur një fotografi e Sllobodan Millosheviq e cila është kërkuar që të largohet nga shkolla. 

Tutje siç mëson KALLXO.com, për rastin është njoftuar Policia por edhe Prokuroria edhe në Gjilan edhe në zyrën koordinuese në Prishtinë. 

Ndonëse nuk lidhet direkt me procesin zgjedhor ngjarja është marrë dhe po trajtohet edhe nga Prokuroria në Gjilan. 

Në fshatin Pasjan, jeton kryesisht komuniteti serb dhe janë të përcaktuara janë dy qendra të votimit. 

Siç mëson KALLXO..com aty kanë votuar qytetarë të cilët janë parë duke shkuar në qendra të votimit edhe me autobusë.

11:23- Podujevë, arrestohet një i dyshuar për sulm ndaj policit në qendër të votimit

Një person është arrestuar në Podujevë nën dyshimin se ka sulmuar një polic në qendrën e votimit me numër 1806, në shkollën “Xheladin Rekaliu”.

“Është arrestuar për shkak të sulmit ndaj personit zyrtar -policit”- tha Islam Demolli, nga Komisioni Lokal Zgjedhor në këtë qendër të votimit për KALLXO.com.

11:12 – Policia e Kosovës po vazhdon realizimin e planit për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor

Policia e Kosovës ka njoftuar se me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor më 09.02.2025 janë angazhuar një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kryesisht të rendit publik.

Por, Policia ka thënë se sipas nevojës mund të angazhohen edhe zyrtarë policorë të profileve të ndryshme të Policisë së Kosovës.

Në njoftim thuhet se zyrtarët policor kanë filluar punën me orar 12 orësh, duke filluar nga ora 03:00, me hapjen e dhomave komanduese, përcjelljen e materialit senzitiv nga depot komunale në qendrat e votimit dhe vazhdimin e ofrimit të sigurisë.

Sipas planifikimeve policore qëllimi i këtij urdhri operativ për këtë proces zgjedhor vazhdon të jetë:

-Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.

-Sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunale të zgjedhjeve, depove komunale, qendrës së numërimit të rezultateve dhe depove qendrore.

-Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor.

– Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.

Tutje thuhet se Policia e Kosovës, bazuar në memorandumin e bashkëpunimit në mes të Policisë, Prokurorisë dhe KQZ-së, vazhdon të ketë të caktuar zyrtarë/hetues në të gjitha drejtoritë rajonale për trajtimin e çdo rasti të mundshëm që ndërlidhet me procesin zgjedhor, nën autorizimet e prokurorëve të caktuar për këtë çështje nga Prokuroria e Shtetit.

“Po ashtu janë caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në si dhe janë dhënë udhëzime me kohë për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor”- thuhet në njoftim.

Policia ka berë thirrtje tek të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe institucionet kompetente, njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre.

DIREKT – Kosova voton sot për zgjedhjet parlamentare

11:02 – Zv.shefja e Ambasadës amerikane u takua me krerët institucionalë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve

Zëvendësshefja e Ambasadës së ShBA-së në Kosovë, Anu Prattipati është takuar me kryesuesin e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) dhe me drejtues të institucioneve tjera të sigurisë, drejtësisë, energjisë dhe të tjera në lidhje me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Kosovë.

KQZ-ja ka njoftuar se fillimisht, Pratipati u prit në takim nga kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, të cilët biseduan për ecurinë e procesit zgjedhor në orët e para të së dielës.

Radoniqi dhe Pritipati, së bashku edhe me drejtues të institucioneve tjera, UD i Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, drejtori i përgjithshëm i PK-së, Gazmend Hoxha, kryesuesi i PZAP-it, Zenel Leku dhe drejtori i operativës në KEDS, Avni Alidemaj, vizituan dhomën operative në KQZ.

“Bashkëpunimi ndërinstitucional është thelbësor në garantimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës”- shkruan në njoftim.

Foto: Komisioni Qendror Zgjedhor

10:39 – Një zyrtar policor shihet brenda qendrës së votimit “Frang Bardhi” në Mitrovicë

Gjimnazi Frang Bardhi në Mitrovicë të Jugut. Foto: Arbnora Pllana/KALLXO.com

Në qendrën e votimit me kusht në gjimnazin “Frang Bardhi” në Mitrovicë të Jugut deri afro orës 10:00 kanë votuar katër persona (me kusht).

Sipas drejtorit të kësaj shkolle, Luan Mehmeti vonesa ka pasur deri në orën 08:30.

“Gjimnazi s’ka qenë kurrë qendër votimi. Sipas të gjitha gjasave asnjë shkollë në bazë të informatave që kemi në asnjë shkollë nuk ka me kusht që votohet (përveç tre klasave këtu). Gjithçka ka shku në rregull. Ka pasë një defekt teknik prej KQZ-së. Votimi ka fillu në 8:30. Qekjo vonesa ish në krejt Kosovën ku votohet me kusht”- tha ai për KALLXO.com.

KALLXO.com ka parë dy zyrtarë të Policisë së Kosovës brenda këtij objekti.

 

10:35- Shtime, mungesë të tavolinës ndihmëse në një qendër votimi

Në një qendër votimi në Shtime raportohet se ka mungesë të tavolinës ndihmëse e cila ndihmon qytetarët të gjejnë vendvotimin e saktë, raporton KALLXO.com nga vendi i ngjarjes.

Rexhep Hasani, menaxher i kësaj qendre me numër 2201, shkolla “Naim Frashëri”, tha se nuk ua kanë sjellur tavolinën.

“Janë dy raste të qytetarëve të cilët në sistem dalin që këtu e kanë qendrën e votimit, por në lista nuk janë. Tjerat kanë shku në rregull, eshtë hap me kohë [qendra]. Por kemi mungësë të tavolinës ndihmëse e cila ndihmon qytetarët të gjejnë vendvotimin e saktë. Nuk na kanë sjellë”- tha ai për KALLXO.com.

10:25- Voton Lumir Abdixhiku, fton qytetarët të ushtrojnë masivisht të drejtën e tyre

Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku ka votuar rreth orës 10:00 në qendrën e votimit në shkollën ‘Faik Konica’ në Prishtinë.

Abdixhiku u shoqërua nga bashkëshortja.

Pas votimit, ai u bëri thirrje qytetarëve të votojnë.

“Është ditë e mirë, ditë e bukur është ditë e demokracisë dhe ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin pjesë masivisht në vendosjen e fatit të tyre dhe të Republikës në katër vitet e ardhshme. Uroj të gjithë votuesit që për herë të parë në këto zgjedhje japin votën për Kosovën ”- ka thënë ai.

Abdixhiku ka falënderuar të gjithë institucionet që kujdes që vota e qytetarëve të marrë epilogun përfundimtar.

10:14 – Dyshohet se fotografoi fletëvotimin, arrestohet votuesi në Gjilan

Qendra e votimit në Gjilan. Foto: Adelinë Ahmeti/KALLXO.com

Një person është arrestuar në Gjilan nën dyshimet se ka fotografuar fletëvotimin brenda kabinës së votimit.

Rasti ka ndodhur më datë 09.02.2025 rreth orës 07:35, tha zëdhënësi i Policisë në Gjilan, Ismet Hashani.

“Policia e Kosovës është njoftuar se brenda një qendre votimi e cila gjendet në Gjilan, nga vëzhguesit e qendrës është vërejtur një votues ku dyshohet se ka fotografuar fletën e votimit derisa ka qenë brenda kabinës së votimit”- njoftoi ai.

Ndër të tjera, Hashani tha se konform obligimeve ligjore dhe autorizimeve zyrtare, zyrtarët e Policisë e kanë arrestuar të dyshuarin brenda qendrës së votimit dhe i njëjti është shoqëruar nga hetuesit rajonal në lokalet e Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme (NjHP).I dyshuari është intervistuar  në prezencën e avokatit mbrojtës. “Pas intervistimit më vendim të Prokurorit të Shtetit rasti procedohet në procedurë të rregullt”- tha Hashani.

10:05- Voton Albin Kurti, fton qytetarët të ushtrojnë të drejtën demokratike

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka votuar rreth orës 09:45 në qendrën e votimit në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.

Kurti u shoqërua nga bashkëshortja.

Pas votimit, ai u deklarua shkurt për media duke i ftuar qytetarët e Kosovës të votojnë.

“Ditë e re dhe mot me diell për zgjedhjet e para të rregullta në Kosovë. I falënderoj të gjithë qytetarët që kanë votuar deri në këto qaste dhe inkurajoj çdo njërin që të votoj. Ushtroni të drejtën demokratike për ta bërë zërin tuaj të dëgjohet”- ka thënë ai.

Kurti mesazhin e tij e dha në tri gjuhët.

10:02 – Voton Bedri Hamza: U bëjë thirrje të gjithë qytetarëve me shfrytëzu këtë të drejtë

Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka votuar sot rreth orës 09:30 në qendrën e votimit në shkollën “Andon Zako Çajupi” në Mitrovicë.

Hamza u shoqërua nga bashkëshortja dhe fëmijët e tij.

Tutje ai ka ftuar të gjithë qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e votës.

Ndërsa, ka thënë se uron se gjithçka do të shkoj mirë sa i përket procesit zgjedhor.

“Sot ditë e bukur dhe me diell, bashkë me bashkëshorten dhe fëmijët e shfrytëzuam të drejtën për me votu. U bëjë thirrje të gjithë qytetarëve me shfrytëzu këtë të drejtë, për me votu, për me zgjedh qeverinë për katër vitet e ardhme. Uroj që gjithçka do të shkoj mirë”- ka thënë Hamza.

09:27 – Voton Ramush Haradinaj, fton qytetarët të marrin pjesë në procesin zgjedhor

Kandidati për kryeministër i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka votuar sot rreth orës 09:00 në qendrën e votimit në shkollën “Ali Sokoli” në Prishtinë.

Haradinaj u shoqërua nga bashkëshortja dhe fëmijët e tij.

Ai në një prononcim të shkurt për media njoftoi se dy fëmijët e tij votojnë sot për herë të parë.

Ndërsa, tutje u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

“Dilni votoni. Kosova ka nevojë për votën e juaj. Na prift e mbara!”- tha ai.

Ramush Haradinaj, në këto zgjedhje është kandidat për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30.

08:47 – 100 prokurorë të shtetit janë caktuar kujdestarë për procesin zgjedhor

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se pos tyre janë angazhuar dhe numër i mjaftueshëm i personelit të sistemit prokurorial.

Ndër të tjera, në njoftim thuhet se të njëjtit do të qëndrojnë kujdestarë deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme.

“Prokurorët do të qëndrojnë në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve”- njofton Zyra e Kryeprokurorit.

Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula do ta mbikëqyrë gjithë mbarëvajtjen e zbatimit të detyrave të koordinatorëve rajonal, prokurorëve të angazhuar dhe prokurorit me detyrë në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ).

“Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”- shkruan në njoftim.

08:23 – Drejtuesit e Listës Serbe ia mësynë në mënyrë të organizuar qendrës së votimit në Mitrovicë të Veriut

Në Mitrovicë të Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe, qytetarët kanë nisur votimin për zgjedhjet parlamentare.

Ata u mblodhën në qendër të qytetit dhe si në të kaluarën, bashkërisht iu drejtuan qendrave të votimit.

Qytetarëve iu bashkua edhe kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, i cili votoi në shkollën “Sveti Sava”.

Kjo është hera e parë që qytetarët në veri u rikthehen kutive të votimit prej vitit 2022, kur Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ishte tërhequr nga institucionet e Kosovës dhe u kishte bërë thirrje serbëve që t’i bojkotonin proceset e ardhshme zgjedhore.

Në dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar është: 106.029Numri i saktë i serbëve në Kosovë mbetet ende i panjohur. Shumica prej tyre, veçanërisht në veri të Kosovës, e bojkotuan procesin e regjistrimit të popullsisë që u zhvillua vitin e kaluar. Sipas vlerësimit të publikuar më 19 dhjetor 2024 nga Agjencia e Statistikave, në katër komuna na veri të Kosovës jetojnë rreth 20.000 serbë. Ndërkohë, në gjashtë komunat e tjera në jug të Ibrit (Graçanicë, Kllokot, Novobërdë, Partesh, Shtërpcë, Ranillug) janë regjistruar 27,316 serbë.

08: 13- Elezi (KQZ): Të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se materiali zgjedhor është shpërndarë me kohë në të gjitha qendrat e votimit.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në konferencë për media.

“Bazuar në informacionet që kemi deri më tani në të gjitha qendrat e votimit, pra në 903 qendra ka filluar procesi i votimit”, ka deklaruar ai.

Përveç votimit të rregullt, sipas tij, KQZ ka caktuar edhe 38 qendra të votimit me kusht.

KQZ u bën thirrje qytetarëve me drejtë vote të shfrytëzojnë këtë të drejtë për të zgjedhur Kuvendin e ri të Kosovës

07:39- Në Prizren hapen qendrat e votimit, por me disa probleme teknike

Shumica e qendrave të votimit në Komunën e Prizrenit janë hapur me kohë, por në disa prej tyre ka pasur disa probleme teknike.

Zyrtari i lartë i komunal zgjedhor ka konfirmuar për KALLXO.com se kanë pasur vonesa në marrjen e ID-ve, por sipas tij, problemi është rregulluar.

Nysret Bytyçi gjithashtu ka theksuar se sfidë ka qenë edhe vendosja e kamerave, por sipas tij, kjo nuk ka ndikuar që qendrat e votimit të mos hapen me kohë.

“Shumica e qendrave të votimit janë hapur me kohë, por kemi pasur disa probleme me disa ID-ja por jemi duke i rregulluar. Materialet zgjedhore kanë ardhur me kohë, por i kemi pas probleme me kamera sepse të mëdha dhe derisa janë dërguar me vetura kemi pasur pak telashe. Por kjo nuk ka shkaktuar vonesa në hapjen e qendrave, vetëm se e ka vonuar stafin paksa. Kështu mund të themi që probleme të theksuar nuk ka.”- tha Bytyçi për KALLXO.com.

07:39- Dragash, të gjitha qendrat e votimit hapen me kohë.

Në Dragash, të gjitha qendrat e votimit janë hapur në orën 07.00.

Kështu ka konfirmuar, Fesal Xhabali, zyrtar i lartë i KKZ-së.

“Të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë, menaxherët e shkollave kanë njoftuar se të gjitha qendrat janë hapur me kohë dhe gjithçka është në rregull. Procesi është duke shku mirë dhe në aspektin teknik nuk kemi pasur ndonjë pengesë. Materiali zgjedhor ka qenë prezent me kohë në të gjitha qendrat”, ka bërë të ditur ai.

07:33 – Hapen qendrat e votimit në Mitrovicë të Jugut

Të gjitha qendrat e votimit janë hapur në orën 7:00 në Mitrovicë të Jugut.

Kështu konfirmoi për KALLXO.com, zyrtari i komunal i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Mitrovicë, Bajram Hajdari, i cili tregoi numrin e vendvotimeve dhe të qytetarëve që kanë të drejtë vote.

“Janë 32 vendvotimeve të rregullta dhe një me kusht. Të drejtë vote kanë 81 mijë votues”- tha Hajdari.

07:32- Hapen me kohë qendrat e votimit në Skenderaj

Të gjitha qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 në Komunën e Skenderajt.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com zyrtari i lartë komunal zgjedhor në Skenderaj, Fisnik Polaci.

“Po të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë. Edhe materiali po ashtu është shpërndarë me kohë. Gjithçka është në rregull”- tha Polaci më 09.02.2025.

07:30- Qendrat e votimit hapen me kohë në Suharekë

Zyrtari komunal i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Suharekë, Skënder Qelaj ka thënë për KALLXO.com se materialet zgjedhore janë pranuar dhe shpërndarë me kohë në qendrat e votimit.

“Gjithçka është në rregull rreth procesit”, ka thënë Qelaj.

07:29- Në Kamenicë hapen pa vonesë qendrat e votimit

Në Kamenicë në ora 7:00 janë hapur qendrat e votimit.

Nuk është raportuar për ndonjë vonesë apo problem në lidhje me shpërndarjen e materialeve.

Për KALLXO.com, Ferid Shabani, zyrtar i lartë komunal zgjedhor ka thënë se qendrat janë hapur me kohë dhe nuk ka të raportuar nga terreni asnjë mungesë apo problem për fillimin e votimit nga qytetarët e Kamenicës.

07:28-  Hapen qendrat e votimit në Deçan

Që nga ora 07:00 e mëngjesit, në gjithë Kosovën kanë nis të hapën qendrat e votimit për zgjedhjet parlamentare.

Në komunën e Deçanit, janë hapur me kohë qendrat e votimit të dielën, më 09.02.2025.

Në një deklaratë për KALLXO.com, Fatmir Cacaj, zyrtar i latë komunal zgjedhor ka konfirmuar se në ora 07:00 ka nis hapja e qendrave të votimit pa ndonjë problem.

“Po, ka nis hapja dhe jemi duke i prite edhe thirrjet nga secila qendër për ti konfirmuar hapjen. Deri më tani nuk ka pasur ndonjë problem” – ka thënë Cacaj.

Në komunën e Deçanit janë 14 qendra votimi me gjithsej 50 vendvotime. Në këtë qytet kanë të drejtë vote 40 mijë e 976 qytetarë.

07:20 – Hapen qendrat e votimit në Lipjan

Janë hapur me kohë qendrat e votimit në komunën e Lipjanit, të dielën, më 09.02.2025. 

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com, zyrtarja e lartë komunale e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Lipjan, Mexhide Rudari-Bërbatovci.

Në këtë komunë janë 34 qendra të votimit, prej tyre katër ndodhen në Lipjan, kurse 30 të tjerat në fshatrat e Lipjanit.

“Po, për momentin jemi duke marrë konfirmime, nuk ka naj telashe kështu, mirë ka fillu” – ka thënë Rudari-Bërbatovci.

Rudari-Bërbatovci e ka pohuar se të gjitha qendrave të votimit në komunën e Lipjanit u është dërguar materiali zgjedhor me kohë. 

Sipas zyrtares, në komunën e Lipjanit janë rreth 64,700 qytetarë që mund të votojnë. 

Në anën tjetër, të gjithë qytetarët e Kosovës votojnë sot, më 09.02.2025, për të zgjedhur kandidatët për deputet të Kuvendit të Kosovës.

Të dhënat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë për 1 milion e 970 mijë e 944 votues me të drejtë vote.

Në të gjithë territorin e vendit do të hapen 903 Qendra të Votimit, me gjithsej 2 mijë e 533 vendvotime.

Në këto Zgjedhje të gjithë ata që do të votojnë me kusht kanë mundësi të votojnë vetëm në një Qendër Votimi, në një Komunë.

Sipas KQZ-së do të jenë 38 Qendra Votimi me kusht, me gjithsej 58 vendvotime.

Ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1280 kandidatë. Këto janë zgjedhjet e para të rregullta për Kuvendin e Kosovës.

 

06:16 – Qytetarët e Republikës së Kosovës sot më 09.02.2025 do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur ligjvënësit dhe Qeverinë e re.

Qendrat e votimit do hapen në orën 07:00 dhe do mbyllen në ora 19:00.

Të dhënat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë për 1 milion e 970 mijë e 944 votues me të drejtë vote.

Në të gjithë territorin e vendit do të hapen 903 Qendra të Votimit, me gjithsej 2 mijë e 533 vendvotime.

Në këto Zgjedhje të gjithë ata që do të votojnë me kusht kanë mundësi të votojnë vetëm në një Qendër Votimi, në një Komunë. Sipas KQZ-së do të jenë 38 Qendra Votimi me kusht, me gjithsej 58 vendvotime.

Ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1280 kandidatë.

Procesi i votimit në Kosovë do të monitorohet nga një numër i konsiderueshëm i vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, media vendore e ndërkombëtare dhe përfaqësues të trupave zgjedhore nga vendet e tjera.

Zgjedhjet e sivjetme parlamentare në Kosovë do të sjellin një risi sa i përket vëzhgimit të procesit të votimit, pasi që, për herë të parë, në qendra votimi do të ketë edhe kamera mbikëqyrëse.

KQZ -ja ka akredituar 1680 vëzhguesve për vëzhgimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës, janë zgjedhjet e gjashta me radhë që do mbahen në Kosovë që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.