Ngjyra e kuqe të cilën e ka harta e Kosovës tregon praninë e lartë të korrupsionit

Kosova, Vendi më i Korruptuar në Rajon

Kosova është renditur e fundit në raportin e “Transparency International” për Perceptimin e Korrupsionit për vitin 2016.

Kosova ka marrë vetëm 36 pikë nga 100, duke u konsideruar si vendi më i korruptuar në rajon. Përkundër renditjes në vendin e fundit në rajon, Transparency International thotë se Kosova ka përparuar për tri pozita krahasuar me vitin paraprak.

Raportin e Transparency International e paraqiti Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)

“Kosova është notuar me 36 pikë dhe tani gjendet në vendin e 95 nga 176 vende të botës. Në vitin 2015 Kosova është radhitur e 103-ta me 33 pikë. Vlerësimi bëhet sipas së metodologjisë së Transparency International, që bëhet në një shkallë ku 100 pikë do të thotë se një vend ‘perceptohet shumë i pastër’ kurse zero pikë do të thotë ‘përceptohet shumë i korruptuar’,” tha Artan Canhasi nga KDI-ja.

Bazuar në këtë indeks, notimi i shteteve mund të përmirësohet nga qeverisja e hapur ku udhëheqësit i japin llogari publikut, gjersa notimi i dobët është shenjë e keqmenaxhimit të fondeve publike dhe pozitave publike, mungesës së dënimeve për afera korruptive dhe institucione publike të cilat nuk u përgjigjen nevojave të qytetarëve.

Luftimi i korrupsionit në vitin 2016 ka qenë një nga kushtet kryesore që bashkësia ndërkombëtare u kishte vënë institucioneve të Kosovës për të ecur drejt integrimit në BE.

Sipas Canhasit trysnia e vazhdueshme nga brenda dhe jashtë ndaj institucioneve të Kosovës për të sjellë rezultate të prekshme në luftimin e korrupsionit ka sjellë efekte pozitive.

“Institucionet e vendit kanë shënuar lëvizje drejt përmirësimit në sistemin e prokurimit publik dhe kanë kontroll relativisht të mirë të korrupsionit të nivelit të vogël, gjegjësisht mitmarrjes në sektorin publik,” ka shtuar Canhasi.

KDI vlerëson se pozita e Kosovës do të përmirësohej edhe më tutje në rast se prokurimi elektronik, që pritet të fillojë të zbatohet, mund të mundësojë publikim të plotë të kontratave dhe kur politikat e vendit do të përqendrohen në forcimin e sundimit të ligjit dhe forcimin e praktikave llogaridhënëse.

Kosova për korrupsion radhitet në një nivel me Argjentinën, Sri Lankën, El Salvadorin, Maldivet dhe Beninin.

Më afër Kosovës në renditje nga shtetet e rajonit është Maqedonia që nga vendi i 66-të vitin e kaluar, ka rënë në pozitën e 90-të. Nga vendet e rajonit Sllovenia radhitet më së larti- e 31-ta, Kroacia e 55-ta , Serbia e 72-ta, Bosnja e Hercegovina dhe Shqipëria kanë pozitën e 83-të, ndërsa Mali i Zi i 64-ti.

Në listën prej 176 vendeve të publikuar nga “Transparency International”, Danimarka radhitet e para së bashku me Zelandën e Re, Finlanda radhitet e 3-ta e ndjekur nga Suedia dhe Zvicra.

TI vazhdon të publikojë “Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit” në nivel global për më shumë se 20 vjet.

Redaktoi: Visar Prebreza