Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kosova vend pritës i ushtrimit më të madh ushtarak në Ballkan "Defender Europe 23"

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se Kosova do të jetë vend pritës i ushtrimit më të madh fushor në rajonin e Ballkanit “Defender Europe 23”.

Mehaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se përgatitjet për këtë ushtrim janë duke vazhduar.

“Përgatitjet janë duke vazhduar, ushtrimet parapërgatitore të ushtrisë sonë, blerja e pajisjeve dhe kompletimi i infrastrukturës, i paraprijnë këtij ushtrimi” – ka thënë ai.

Tutje Mehaj ka bërë të ditur se në “Defender Europe 23” ushtria e Kosovës do të marrë pjesë me dy regjimente.

“Gjatë këtij ushtrimi, planifikohet që të validohen kapacitetet e këmbësorisë së FSK-së në nivel të Regjimentit , nga njësi të specializuara për validim të Ushtrisë Amerikane” – ka theksuar ai,

Sipas tij, ushtrimi “Defender Europe 23” do të dëshmojë edhe një herë përgatitjen dhe profesionalizmin e lartë të ushtrisë tonë.

“Europe Defender” është ushtrimi më i madh ku ka marrë pjesë Kosova dhe FSK, duke dëshmuar gatishmërinë dhe kapacitetet e saj ushtarake.

Ushtrimi “Defender 21”  është shtrirë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, regjionin e Detit të Zi dhe Baltikut.

Në ushtrimin “Defender 21” kanë marrë pjesë 27 vende me 28,000 ushtarë.

Forca e Sigurisë së Kosovës në këtë ushtrim ka marrë pjesë me 330 pjesëtarë.

KALLXO.com në bashkëpunim me FSK-në në vazhdimësi ka përcjellë aktivitetet e pjesëtarëve të FSK-së dhe përmes një serie të emisioneve kanë sjellë ekskluzivisht pamjet dhe detajet nga terreni.

Java e FSK-së: Ushtrimi ‘Marrja e Kontrollit’ në ‘Defender Europe – 21′ – LIVE