Foto ilustrim

Kosova u ofron mbrojtje të përkohshme 85 personave të rrezikuar nga lufta në Afganistan

Qeveria e Kosovës u ka ofruar mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershme 85 personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Para kabinetit qeveritar, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla përkujtoi se që nga fillimi i konfliktit në Afganistan, Kosova ka dëshmuar përkushtimin dhe profesionalizmin në ofrimin e strehimit për personat e rrezikuar në këtë shtet dhe për familjarët e tyre.

“Duke u bazuar në vlerat tona në mbështetje të të drejtave njerëzore, mikpritjes dhe solidaritetit propozoj ofrimin e mbrojtjes së përkohshme për një grup të identifikuar prej 15 shtetasve afganë së bashku me anëtarët e familjeve të tyre. Në total 85 persona. Që nga fillimi i konfliktit në Afganistan, Republika jonë ka dëshmuar përkushtimin dhe  profesionalizmin në ofrimin e strehimit të personave të rrezikuar dhe ky akt vazhdimësi”- ka thënë Sveçla.

Ai ka deklaruar se procesi do të realizohet në përputhje me standardet ndërkombëtare, dhe se këta persona do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit.

Në vitin 2021, Kosova dhe Shtetet e Bashkuara patën nënshkruar një marrëveshje për strehimin e përkohshëm të afganëve, pasi talibanët u rikthyen në pushtet në Afganistan.

Grupi i parë i shtetasve afganë arriti në Kosovë më 29 gusht të vitit 2021. Ata ishin transportuan nga Gjermania me një avion të forcave ajrore amerikane.