Kosova synon arritjen e marrëveshjes për ekstradim me Francën

Republika e Kosovës dhe ajo e Francës synojnë që të arrijnë një marrëveshje për ekstradimin e personave që kërkohen për t’u ndjekur penalisht apo për të vuajtur dënimin e shqiptuar nga organet e shtetit përkatës.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, më datë 14.08.2024, u miratua propozim-vendimi për të kërkuar nga Presidentja e Kosovës dhënien e autorizimit ministres së Drejtësisë për nëshkrimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Francës për ekstradim.

Në hapat e mëtutjeshëm pas këtij miratimi, duhet që një vendim i tillë të nënshkruhet nga Presidentja e Kosovës, ndërsa ratifikimi nga Parlamenti i Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova ka arritur të avancojë pozicionin e saj në marrëdhënie ndërkombëtare dhe “jemi shtet i lartë me nivel demokracisë dhe sudimit të ligjit”. 

Republika e Francës është pajtuar që avancohet tutje në bashkëpunimin në fushën e ekstradimeve– tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, sqaroi se çfarë ju mundësohet të dy shteteve nëse shkon në vend kjo marrëveshje.

Sallahu tha se ministria në të cilën ai vepron, ka zhvilluar bisedime me Ministrinë e Drejtësisë të Francës dhe është arritur pëlqimi me tekstin e marrëveshjes.

Sipas tij, qëllimi i kësaj marrëveshje është forcimi i mëtutjeshëm në fushën e ekstradimeve në mes të dy vendeve dhe lehtësimi i procedurës ligjore mes dy shteteve.

“Kjo marrëveshje përcakton detyrimin për ndërmarrjen e veprimeve nga te dy vendet nënshkruese për të ekstraduar personin që kërkohet për t’u ndjekur penalisht apo për të vuajtur dënimin e shqiptuar nga organet e shtetit përkatës– tha Sallahu.

Zëvendësministri shtoi se marrëveshja me Francës përcakton se për cilat vepra penale mund të lejohet ekstradimi, pastaj personat që mund të ekstadohen, kushti për ekstradim dhe refuzimi i ekstradimit. 

Më këtë marrëveshje rregullohen edhe procedurat për ekstradim për liritë dhe të drejtat e njeriut– tha ai.