Foto: Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Kosova strehon edhe një gazetar ukrainas

Edhe një gazetar ukrainas do të strehohet në Kosovë përmes financimit të Qeverisë së Kosovës.

Kostyantyn Grygorenko dhe bashkëshortja e tij, Svitlana Grygorenk janë mirëprutur në Aeroportin e Prishtinës nga stafi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), përfshirë Drejtoren Ekzekutive, Getoarbë Mulliqi, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bernardeta Palucaj Lekaj e Kushtrim Nreci, si dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

AGK zbaton programin “Journalists in Residence – Kosovo” që nga prilli 2022 – duke u mundësuar gazetarëve ukrainas që kanë ikur nga lufta, të vazhdojnë punën e tyre si gazetarë në Kosovë.

Ky program është iniciuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF.

Që nga nisja e pushtimit rus në Ukrainë, Kosova ka ofruar strehim dhe mundësi për punë nga distanca, për rreth 20 gazetarë ukrainasë.

Në kuadër të programit të iniciuar nga Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, në Kosovë aktualisht janë 13 gazetarë ukrainasë, ndërsa 5 të tjerë e kanë përfunduar programin.

Në kuadër të projekti që financohet nga Qeveria e Kosovës e implementohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, në Kosovë qëndrojnë e punojnë edhe 3 gazetarë afganë.

Në vitin 2023, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 305 mijë e 710 euro për mbështetjen e gazetarëve ukrainas dhe afganë të cilët po qëndrojnë në Kosovë.