Kosova solidarizohet me popullin e Bosnjës e Hercegovinës pas përmbytjeve shkatërruese

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti u kanë shprehur ngushëllime familjeve të prekura në Bosnjë dhe Hercegovinë për personat që humbën jetën si pasojë e përmbytjeve.

Përveç ngushëllimeve, presidentja Osmani e kryeministri Kurti kanë shprehur gatishmërinë e Kosovës për t’i ndihmuar popullit në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Zemrat tona janë me familjet në Bosnjë dhe Herecegovinë të pikëlluara për humbjen e më të dashurve pas përmbytjeve shkatërruese. Populli i Kosovës qëndron krah për krah me popullin e Bosnje dhe Hercegovinës gjatë këtyre kohërave të vështira dhe jemi të gatshëm të ofrojmë çdo ndihmë të nevojshme” – ka shkruar presidentja Osmani në platformën X, më 04.10.2024.

“Në emër të popullit të Kosovës u shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjeve dhe komuniteteve të prekura nga vërshimet në Bosnje dhe Hercegovinë. Ne jemi me ju në këto kohë të vështira dhe jemi të gatshëm t’iu ndihmojmë në çdo mënyrë që mundemi. Republika e Kosovës është me ju” – ka shkruar Kurti në platformën X, më 04.10.2024.

Në territorin e komunës së Jabllanicës është raportuar për viktima pas reshjeve të shiut gjatë natës, që shkaktuan përmbytje e rrëshqitje të dheut.

Kështu tha Marija Buhaç, kryeministrja e Qarkut të Hercegovinës dhe Neretvës (HNK).

Ajo nuk specifikoi për sa viktima bëhet fjalë.

“Fatkeqësisht, sipas informacioneve të para, kemi edhe viktima njerëzore. Kemi kërkuar ndihmë nga Forcat e Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës që të dërgojnë një helikopter për të shpëtuar jetën e një fëmije në Jabllanicë”, tha ajo gjatë një konference të jashtëzakonshme për media në Mostar më 4 tetor.

Ndërkaq, një helikopter i forcave të Bashkimit Evropian në Bosnje (EUFOR) po transporton nga Jabllanica personat e plagosur rëndë, tha Ministria e Sigurisë e Bosnje e Hercegovinës.

Kryetari i Jabllanicës, Damir Shabanoviq, tha për Radion Evropa e Lirë se në këtë komunë dhe në mbarë shtetin do të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore.

“Është kaos. Kemi viktima, por nuk e dimë se sa. Dëmet materiale janë jashtëzakonisht të mëdha”, tha ai.

Adill Shuta, komandanti i Shtabit të Mbrojtjes Civile të Qarkut të Hercegovinës dhe Neretvës, njëherësh ministër i Financave, tha se autoritetet kanë angazhuar të gjitha forcat e disponueshme, duke shtuar se ato “po përparojnë nga Mostari drejt Jabllanicës”, ndërsa në një pjesë e fshatit Buturoviq Pole, fshat midis Jabllanicës dhe Konjicës, gjendja është “kritike”.