Kosova pranon nga ShBA mbi 500 mijë vaksina kundër COVID-19

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës sot është bërë ceremonia e pranimit të 515,970 dozave të vaksinës Pfizer, të siguruara nga Presidenti i SHBA, Joe Biden për popullin e Kosovës, të cilët në vendin tonë kanë arritur përmes mekanizmit COVAX.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për donacionin e vaksinave të cilat kanë ardhur në Kosovë përmes Aleancës COVAX.

Latifi tha se në Kosovë përqindja e qytetarëve që kanë marrë të paktën një dozë ka arritur në 63% kurse ajo më dy doza ka arritur në 57%.

“Aleanca COVX e ka bërë luftën tonë kundër COVID-19 më të lehtë. Vetëm të vaksinuar mund t’i kthehemi normalitetit me një ekonomi të hapur. Mbi 63% të popullatës tonë mbi moshën 12 vjeçare kanë marrë dozën e parë kurse mbi 53% atë të dytë. Lufta nuk ka mbaruar ende dhe ju bëj thirrje fëmijëve mbi moshën 12 vjeçare që të vaksinohen, prindërve që të vaksinojnë fëmijët, gratë shtatzëna e të gjithë”, është shprehur Lafifi.

E pranishme në këtë konferencë ishte edhe presidentja Vjosa Osmani e cila po ashtu falënderoi ShBA-të për donacionet e vaksinave.

Tutje shtoi që Kosova asnjëherë nuk ka qenë e vetme në përballje me pandeminë por sipas saj gjithmonë ka pasur afër shtet mike.

“E falënderojmë presidentin Biden për dy kontingjentet me vaksina që përbëjmë sasinë e mbi 1 milion vaksinave për popullin e Kosovës. Përqindja e vaksinimit e bën Kosovën lider në Rajon për shifrat e të vaksinuarve. Sa më shumë vaksina aq më pak vdekje. Sa më shumë vaksina aq më pak mbyllje të ekonomisë”, tha Osmani.

Në ceremoninë pranimit zyrtar të këtij donacioni nga SHBA-të për Kosovën morën pjesë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, Ambasadori i SHBA në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, shefja e UNKT, Ulrika Richardson dhe Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.