Kosova pranon 35 mijë vaksinat e para nga ShBA

Përmes një ceremonie të organizuar në oborrin e QKUK-së, Kosova ka pranuar 35 mijë e 100 doza të vaksinës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga mbi gjysmë milioni që pritet të vijnë në vazhdim.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, Kryeministri, Albin Kurti dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett.

E para e vendit, Vjosa Osmani falënderoi ShBA-në për donacion ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen sa më shumë.

Osmani ka falënderuar homologun e saj amerikan, Joe Biden ndërsa ka theksuar nevojën për vaksinonim të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“E kam ditur se do marrin këtë ndihmë pasi administrata re ShBA-të e kupton rëndësinë e vaksinimit. Ne morëm përgjigje pozitive për 500 mijë vaksina. Sot vjen dërgesa e parë dhe me këtë konfirmohet mbështetja e ShBA-ve. Miku i mirë në ditë të vështirë mund të themi për këtë veprim”, ka deklaruar presidentja kosovare.

Edhe kryeministri kosovar, Albin Kurti ka falënderuar ShBA-në për ndihmën teksa ka treguar për masat e ndërmarra nga ekzekutivi që ai drejton.

“Në një periudhë të rëndë për të botën, vetëm solidariteti na ndihmon të përballim armikun e përbashkët. Në emër të qeverisë i falënderoj të gjithë ata që po dhurojnë vaksina në këtë përballje të virusit. Ne muajt e parë të qeverisë kemi pasur menaxhimin e pandemisë dhe vaksinimin. Dozat që pranuam sot do administrohem brenda 1 dite e gjysmë”, tha Kurti.

Në anën tjetër, ambasadori amerikan, Philip Kosnett tha se edhe më shumë vaksina do të vijnë në Kosovë.

“Është një privilegj të jem këtu në dërgesën e parë te dozave të vaksinës nga ShBA për te ndihmuar Kosovën. Kjo dhuratë është dërgesa më e madhe që është bërë nga ShBA për një vend. ShBA është kontribuuesi më i madh në Covax me dy miliardë dollarë. Më shumë vaksina janë rrugës, por ato janë efektive vetëm nëse i përdorim”, deklaroi ai.