Një grua vaksinohet kundër koronavirusit në një qendër vaksinimi në Hungari.

Kosova pranon 10,000 vaksina nga Kroacia

Në Kosovë arritën të enjten 10,000 vaksina kundër koronavirusit, të bëra donacion nga Kroacia.

Donacioni u pranua gjatë një takimi të ministrit të Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, dhe drejtorit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani, me ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijella Barishiq.

Në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë nuk bëhet e ditur se të cilit prodhues janë vaksinat.

Marrëveshja për këtë donacion është nënshkruar më 24 maj nga Barishiq dhe zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës.

Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit në fund të marsit.

Deri të enjten janë dhënë gjithsej 90,217 vaksina.

Aktualisht, në zhvillim e sipër është faza e dytë e vaksinimit, që përfshin personat e moshës 65-79 vjeç.

Faza e tretë e vaksinimit masiv është paralajmëruar se do të nisë javën e ardhshme.

Kosova ka pranuar donacione vaksinash nga Bashkimi Evropian dhe nga programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Muajin e kaluar, autoritetet kanë njoftuar për nënshkrimin e një kontrate me kompaninë farmaceutike amerikane Pfizer, për sigurimin e mbi 1 milion vaksinave, por nuk dihet ende se kur do të arrijnë ato në Kosovë. REL