Kosova pranoi 24 ton mjete e pajisje kundër COVID-19 donacion nga Jordania

Jordania ka dhënë donacion 24 tonësh, mjete e pajisje mjekësore për Kosovën në luftën kundër COVID-19.

Me anë të një njoftimi të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, thuhet se Jordania ka dhuruar gjysmë milioni maska, 10,000 mantele, 5,000 kominoshe dhe 30,000 dezinfektues, të gjitha këto pjesë e kontigjentit 24 tonësh të dërguar enkas si ndihmë për Kosovën, për ta mposhtur COVID-19

“Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Besnik Tahiri, bashkë  ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, z. Nait Hasani kanë pranuar në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjysmë milioni maska, 10,000 mantele, 5,000 kominoshe dhe 30,000 dezinfektues, të gjitha këto pjesë e kontigjentit 24 tonësh të dërguar enkas si ndihmë për Kosovën, për ta mposhtur COVID-19 nga miku i madh i vendit tonë, Mbreti Abdullah II”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Gjithashtu në njoftim thuhet se Qeveria e Kosovës ka falënderuar Jordaninë për këtë ndihmë.

“Me këtë rast, në emër të Qeverisë falënderova popullin dhe shtetin mik të Jordanisë, në veçanti Mbretin Abdullah II për mbështetjen vëllazërore të ardhur me aeroplan special nga Jordania. Me këtë rast shpreh vlerësimin për kolegun tonë, Prof. Arianit Shehu, që u angazhua maksimalisht që ky donacion nga Jordania të bëhet realitet”, ka thënë zëvendëskryeministri Tahiri duke theksuar se miqtë e mirë dihen në ditë të vështira.