Foto-ilustrim

Kosova po importon grurë nga Bullgaria, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Rusia

Gjendja emergjente e krijuar nga coronavirusi ka bërë që qytetarët kosovarë të vërshojnë mullinjtë për t’u furnizuar me miell apo qoftë edhe për bluarjen e drithërave.

Pavarësisht të mbjellave nga fermerët, Kosova vazhdon të jetë e varur nga importi i grurit.

Të dhënat e siguruara nga KALLXO.com nga Dogana e Kosovës tregojnë se prej datës 16 mars deri më 22 mars, Kosova ka importuar 6,268,300.00 kilogramë grurë.

Kurse, vlera totale e sasisë së grurit të importuar është 1,413,447.58 euro.

Grurë u importua nga këto shtete: Bullgaria, Kroacia, Hungaria, Maqedonia e Veriut dhe Federata Ruse.

Shteti nga i cili Kosova ka importuar më së shumti grurë gjatë kësaj periudhe kohore është Bullgaria, me sasi 1,654,800.00 kilogramë, me vlerë 316,057.00, pastaj nga Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Federate Ruse.

KALLXO.com të premten ka raportuar se Kosova ka importuar 440 mijë kilogramë miell me vlerë 151 mijë euro.

Institucionet e vendit kanë bërë apel vazhdimisht që mos të bëhet panik pasi që grurë dhe miell ka mjaftueshëm.

Të njëjtën e deklaroi edhe sot ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa, duke ofruar përkrahjen për fermerët që të sigurohet buka dhe ushqimi nga tokat e tyre për familjet kosovare.

Në anën tjetër, deri më tani janë paraqitur 35 raste me coronavirus në Kosovë.

Qeveria e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente të shëndetit publik.

Me të filluar kjo gjendje, qytetarët kanë vërshuar drejt mullinjve dhe dyqaneve.

Gjithashtu, qytetarët janë ankuar për rritje të çmimit të miellit.

Drenas, qytetari bleu miell me çmim të ngritur, inspektohet biznesi