Kosova përmbush vetëm rreth 30% të ligjeve në fuqi për personat me nevoja të veçanta

Vetëm 30 për qind të ligjeve në fuqi Kosova i ka përmbushur nga standardet e kërkuara ndërkombëtare për personat me nevoja të veçanta.

Kështu është gjetur në një raport të publikuar sot nga HANDIKOS, ku është thënë se raporti i hulumtimit ka identifikuar se një nga kategoritë themelore e të drejtave të tyre- Qasshmëria, vetëm 6,7 për qind, të standardeve ndërkombëtare janë të përfshira në legjislacionin e Kosovës.

“Sipas raportit, rreth 70% të standardeve ndërkombëtare mungojnë ose janë pjesërisht të përfshira apo/dhe të integruara në legjislacionin e Kosovës. Prandaj institucionet e Kosovës duhet të përmirësojnë legjislacionin ekzistues të afësisë së kufizuar sipas standardeve ndërkombëtare, duke u mundësuar personave me afësi të veçanta  të gëzojnë dhe ushtrojnë plotësisht të drejtat dhe shërbimet përkatëse”, thuhet në një njoftim për media.

Sipas HANDIKOS, ky studim ka pasur  për qëllim vlerësimin e zbrazëtirave të legjislacionit në fuqi në Kosovë në raport me  Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara,  Acquis Communautaire të Bashkimit Evropian, Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm, Strategjisë Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Veçanta dhe Planit Nacional të Veprimit për Personat me Aftësi të Veçanta.

Po ashtu është thënë se hulumtimi është financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në kuadër të projektit “Promovimi gjithëpërfshirës në proceset konsultative për reformat e qeverisjes dhe administratës publike në sektorin e aftësisë së kufizuar në nivel Lokal, Nacional dhe Regjional”, i cili zbatohet nga HANDIKOS, në partneritet me Disability Partnership Finland, Threshold, Shoqatën Kosovare të Shurdhërve dhe Shoqatën e të Verbërve të Kosovës.