Kosova përkujton sulmet terroriste të 11 shtatorit në ShBA
Institucionet e Kosovës sot do të përkujtojnë sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 që kanë ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Më këtë rast, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti do të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore te memoriali “Kosova kujton”, kushtuar viktimave të 11 shtatorit 2001, në SHBA.
Në këtë ceremoni merr pjesë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.
Ngjarja do të mbahet në oborrin e ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, në ora 14:00.
Edhe Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se në kujtim të 11 Shtatorit 2011, respektivisht viktimave të sulmit terrorist në SHBA, kryeparlamentarja Vjosa Osmani së bashku me ambasadorin amerikan Philip Kosnett, do të vendosin kurora me lule tek pllaka përkujtimore e 11 Shtatorit.
Ngjarja do të mbahet në orën 10:00, në hapësirën ndërmjet objektit të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
ShBA-të do të shënojnë sot 19-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit, 2001.
Rreth 3.000 njerëz patën vdekur në sulmet e organizatës terroriste “Al Qaeda” në New York dhe Washington.
Anëtarë të kësaj organizate patën rrëmbyer avionë udhëtarësh, të cilët i kishin përplasur në kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë dhe në ndërtesën e Pentagonit.