Foto: Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Kosova përkujton 11 shtatorin 2001, ditën që ndryshoi rrjedhën e historisë

Dy krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, si dhe liderët e partive opozitare kanë përkujtuar viktimat e sulmit të 11 shtatorit 2001 që ndodhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Tmerri dhe humbja e pakuptimtë e afër 3000 jetëve na kujtojnë brishtësinë e paqes dhe dhimbjen e thellë, të cilën e ka shkaktuar ky akt terrorist. Imazhet, pikëllimi dhe ankthi mbeten të gdhendura në kujtesën tonë kolektive” – ka thënë presidentja Osmani përmes një postimi në Facebook.

Ajo ka thënë se kjo ngjarje ka ndryshuar përgjithmonë rrjedhën e historisë dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme.

“Në këtë ditë ne gjejmë forcën në unitet, duke qëndruar përkrah popullit amerikan, si gjithmonë, në mbrojtje të paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje më të mirë!” – ka përfunduar Kurti.

Ndërkaq, kryeministri Kurti ka bërë homazhe te pllaka përkujtimore “Kosova Kujton”, në oborrin e ndërtesës së Qeverisë, për të përkujtuar dhe nderuar viktimat e atij sulmi.

Në homazhe morën pjesë edhe Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla dhe Zëvendës-shefja e Misionit të ShBA-ve në Kosovë, Anu Pratipati.

Gjatë kujtimit të viktimave, kreu i Qeverisë përmendi se në mesin e tyre ishin edhe tre bashkatdhetarë shqiptarë të familjeve Camaj, Dedvukaj dhe Gjonbalaj.

“Republika e Kosovës qëndron pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë ditë përkujtimi dhe theksojmë partneritetin, aleancën dhe miqësinë tonë të fuqishme në çdo aspekt e në veçanti, në luftë kundër terrorizmit” – ka thënë Kurti.

Kryeministri ka shtuar se terrorizmi duhet luftuar nga të gjithë.

Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

11 shtatorin 2001 e ka përkujtuar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Ky akt terrorist dhe barbar ishte sulm direkt jo vetëm për ShBA-të, por edhe gjithë botën perëndimore; ishte sulm mbi vlerat demokratike perëndimore. Sot, kur kanë kaluar mbi dy dekada nga momenti i ndodhjes së këtij akti të shëmtuar, kujtojmë dhe solidarizohemi me familjarët e viktimave të 11 shtatorit, të cilët humbën jetën pafajësish nga mania radikale e një sulmi terrorist”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Kurse Haradinaj ndër tjera ka shkruar: “Në 23 vjetorin e 9/11, ashtu si çdo ditë, jemi pranë miqve amerikanë, pranë botës demokratike, duke kujtuar me respekt viktimat e asaj dite. Miqësia e përhershme me Amerikën është e pathyeshme dhe ajo nuk mund të prishet nga askush, do të qëndrojë gjithmonë e palëkundur. Në rresht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.