Arbër Krasniqi në “Monroe 2024”. Foto: KALLXO.com.
Kosova për herë të parë merr pjesë në Kampionatin Botëror të Paraglajdit në SHBA
Në Utah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës po mbahet Kampionati Botëror i Paraglajdit “Monroe 2024”.
Ky kampionat ka nisur më 07 shtator dhe do të zgjasë deri më 14 shtator.
Pjesë e këtij kampionati janë edhe dy garues nga Kosova: Arbër Krasniqi dhe Ardall Celina.
Në dy ditët e para të kësaj gare prestigjioze, të dy sportistët nga Kosova janë duke arritur rezultate të mira në renditje të garës, në disiplinën Distance Cross-Country.
Është hera e parë që Kosova prezantohet në këtë kampionat, i njohur për shtigjet e vështira të paraglajdit, për shkak të zhvillimit të erërave, termikave, mungesës së oksigjenit, si dhe për vetë faktin se take-off (pika e nisjes) është në diku rreth 3,400 metra lartësi mbidetare, e pritet që paraglajdistët të arrijnë edhe deri në 5,500 metra lartësi.
“Është hera e parë që po fluturoj në një vend me këso kushte, kushte realisht të nivelit të riskut shumë- shumë të lartë. Sa herë dalim prej take-off, niveli i riskut lajmërohet prej pilotëve dhe organizatorëve që zakonisht është ‘Level three’”- thotë Arbër Krasniqi.
Në një hapësirë të pafund, duke fluturuar në lartësi të mëdha, Krasniqi është përballur edhe me ulje të detyruar.
Keqësimi i motit i ka detyruar organizatorët që t’i thërrasin të gjithë garuesit të aterrojnë menjëherë në një hapësirë të frikshme, përplot me gjarpërinj, ujqër, arinj, e luanë mali.
Pas aterrimit, Krasniqit i është dashur që për t’u evakuuar nga kjo shkretëtirë të presë organizatorët për më shumë se dy orë në mot me shi.
“Ky njeri, ka ardhur të më marrë mua, pas dy orësh, kjo është e mrekullueshme. Faleminderit njeri!”- i ka thënë Krasniqi Clyde Kelsenit, personi që kishe shkuar ta evakuonte.
Gjatë kësaj vere, Arbër Krasniqi ka marrë pjesë edhe në gara të tjera të paraglajdit, si në “Hungaria open 2024”, “Pre-PWC Aetheria Open & 33rd” dhe “Hellenic Paragliding Championship- Siatista Greece”.
KALLXO.com do të vazhdojë të raportojë për rrjedhën e Kampionatit Botëror të Paraglajdit “Monroe 2024”.