Endrit Shala

Kosova paralajmëron Maqedoninë e Veriut për masa reciprociteti në eksporte

Ministri në detyre i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala i ka dërguar një letër ministrit të Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut, Kreshnik Bekteshi nëpërmjet së cilës e ka paralajmëruar për masa reciprociteti.

“Sot i kam dërguar letër ministrit të Ekonomisë të Maqedonisë së Veriut, z.Kreshnik Bekteshi dhe i kam kërkuar që sa më shpejt të largohen barrierat të cilat i ka vendosur ky shtet ndaj produkteve kosovare. Ndryshe ne do të shqyrtojmë masa reciprociteti për të gjitha prodhimet e Maqedonisë së Veriut që eksportohen në Kosovë”, ka shkruar Shala në “Facebook”.

Në letrën të cilën e ka bërë publike Shala, shihet t’i ketë thënë ministrit nga Maqedonia e Veriut se taksa ndaj peshkut duhet të hiqet.

“Vendimi ka hyrë në fuqi që nga data 01.06.2019 me të cilin ndalohet importi i peshkut të gjallë që dedikohet për rritje. Për më tepër, është vendosur edhe një taksë prej afër 700 euro për çdo hyrje të kamionëve të peshkut në Maqedoninë e Veriut”, thuhet tutje në letrën e ministrit Shala.

Ai ka paralajmëruar autoritet e Maqedonisë së Veriut se në rast se barrierat nuk hiqen, Kosova do të kundërpërgjigjet.

“Jemi në pritje nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut që do t’i heqin këto barriera tregtare në të kundërtën do të jemi të detyruar të reagojmë, ku si reagim do të jetë trajtimi i njëjtë i produkteve të Maqedonisë së Veriut që hyjnë në tregun e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

“Mbes me shpresën se do të gjendët një zgjidhje e shpejtë për çështjen në fjalë”, thuhet në fund të letrës së Endrit Shalës dërguar Kreshnik Bekteshi.

Sot i kam dërguar letër ministrit të Ekonomisë të Maqedonisë së Veriut, z.Kreshnik Bekteshi dhe i kam kërkuar që sa më…

Publiée par Endrit Shala sur Jeudi 8 août 2019