Foto: Kallxo.com

Kosova pa ligj e pa buxhet për t’i adresuar ndryshimet klimatike

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë Suedeze për Mbrojtjen e Mjedisit kanë vazhduar takimin rajonal dyditor për ndryshime klimatike dhe integrime evropiane “Zhvillimi i një propozim projekti për ngritjen e kapaciteteve në sektorin e mjedisit, integrimeve evropiane dhe ndryshimeve klimatike”.

Takimi është pjesë e procesit për dizajnimin e një projekti të bashkëpunimit për shkëmbimin e përvojave dhe praktikash të mira si dhe realizimin e aktiviteteve specifike në fushën e mbrojtjes së mjedisit, ujërave, integrimeve evropiane dhe ndryshimeve klimatike.

Ky takim mori për bazë zbatimin e rregullores së parlamentit Europian për marrëveshjen e 30 majit 2018 e njohur si Marrëveshja e Parisit e cila pati për synim  reduktimin e emisioneve të gazit nga vendet anëtare për vitet 2021-2030.

Përveç institucioneve relevante nga Kosova në takim ishin pjesëmarrës edhe përfaqësues nga Maqedonia Veriore dhe Shqipëria.

Daniel Engstrom Stenson, nga Agjencioni për mbrojtje të mjedisit në Suedi shpalosi kornizën politike për ndryshimin klimatik në Suedi.

Fokusi kryesor i tij qëndronte në implementimin e politikës Europiane për klimën dhe shtyrja e agjendës Europiane për zbatimin e marrëveshjes së Parisit.

Ndër të tjera ai shpalosi edhe hartimin e programit afatgjatë të vendeve të cilat kishin qenë pjesë nënshkruese e marrëveshjes së Parisit për reduktimin e emisioneve të gazit.

Si pika në të cilat duhet punuar më shumë llogariten mjetet e transportit, ndërtesat dhe mbeturinat të cilat po ndikojnë në dëmtimin e shtresës së Ozonit.

Afrim Gashi nga Agjensioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës shprehu vështirësitë e Kosovës për arritjen e këtyre objektivave, ngaqë Kosova nuk ka ende ligj për ndryshimin klimatik dhe nuk është nënshkruese e marrëveshjes së  Parisit.

“Kosova ende nuk ka ligj për ndryshime klimatike e ka vetëm një koncept dokument dhe gjatë këtij viti pritet ta kemi atë ligj. Kosova i ka dy udhëzime administrative që ndërlidhen me direktivat e përmendura në raportin për reduktimin e emisioneve” tha ai.

“Udhëzimi administrativë për mekanizma të monitorimit të gazrave dhe substancave që dëmtojnë shtresën e ozonit dhe udhëzimin për teknologjitë e pastra”, shtoi Gashi.

Gashi po ashtu përmendi edhe sfidat ligjore dhe humanitare që kanë për zbatimin e këtyre direktivave.

“Disa prej sfidave kryesore si në aspektin ligjor dhe institucioneve janë mungesa e një targeti të caktuar dhe obligimeve për raportim, por edhe kapaciteteve institucionale ku nuk ka ende ndonjë sektor specifik që kanë në fokus ndryshimin klimatik”, shtoi tutje Gashi.

Sipas tij, ndryshimi klimatik nuk është prioritet i qeverisë së Kosovës, dhe shkak për këtë mund të jetë bërë statusi politik i Kosovës në raport me organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Këto nuk janë parë si prioritet për qeverinë e Kosovës dhe nuk është ndarë buxhet për ndryshimet klimatike. Statusi politik që ka Kosova me Organizatën e Kombeve të  Bashkuara dhe pamundësia për të qenë pjesë e këtyre fushatave ka bërë që Kosova ta lë jashtë prioriteteve trajtimin e këtij problemi”, tha Gashi.

Sa i përket kapaciteteve humane, sipas Gashit, Kosova ka mungesë të hulumtimeve në sektorin e trajtimit të gazrave, si dhe të dhëna historike para viteve 90-ta. Gjithashtu Kosova prodhimin më të madh të energjisë e ka nga thëngjilli dhe energjia e ripërtëritshme është e kufizuar edhe si pasojë e zhvillimit të ulët ekonomik.

“Gjitha ministritë janë të kufizuara me punësim të të rinjëve,  ka mungesë të eksperiencës në nivel nacional, nuk ka ndonjë hulumtim në këtë sektor ose gazrat serë. Barriera e gjuhës vlen të përmendet, shumica e raporteve Europiane  janë në gjuhën angleze dhe jo i gjithë stafi arrin t’i kuptojë kërkesat. Ka mungesë të dhënave historike të ndryshimeve klimatike para viteve 90-ta, nuk kemi vit të veçantë si target për reduktimin e këtyre emisioneve”, tha Gashi.

Kosova prodhimin më të madh të energjisë e ka nga thëngjilli , energjia e ripërtëritshme e kufizuar nga zhvillimi i ulët ekonomik”, u shpreh ai.

Përfaqësues nga Maqedonia e Veriut thanë se janë në fazë të hershme të formimit të një ligji për ndryshimet klimatike ku synimi i tij është mesi i këtij viti, por nuk dihet si do zbatohet të  për shkak  të zgjedhjeve në muajt e ardhshëm.

Kurse përfaqësues nga Shqipëria deklaruan se është krijuar së fundi një ligj për ndryshimet klimatike i cili pritet të dal në diskutim parlamentar për aprovim brenda tre mujorit të parë të këtij viti.

Zyrtarë nga Agjencia për mbrojtje të mjedisit po shpreson në bashkëpunim me republikën e Shqipërisë, pas heqjes së pengesës energjetike që po bënë Serbia.

Synimi i kësaj konference ishte edhe ndërtimi i kapaciteteve, shkëmbimi i përvojave dhe planifikimi për hapje të negociatave me Bashkimin Europian, po ashtu interesimi për të punuar në çështjet klimatike dhe mundësia e bashkëpunimit pa udhëtuar.