Foto: Humanium
Kosova numëron plagët e fëmijëve nga sfidat në TikTok, ndërsa Shqipëria merr masa drastike
Disa shkolla në Kosovë u alarmuan, pasi nxënësit provuan një sfidë të re nga TikTok-u dhe i thyen krahët dhe duart e tyre. Në anën tjetër, pasi një adoleshent në Shqipëri u raportua se vrau një 14 vjeçar, Qeveria vendosi që përkohësisht ta ndalojë aplikacionin brenda vendit.
Mëngjesin e datës 09.12.2024, Jakup Bahtiri pranoi një telefonatë të papritur.
“Krahu i një nxënëseje të klasës së nëntë u lëndua.” – tha Bahtiri, drejtor i shkollës fillore e të mesme të ulët “Vëllezërit Frashëri” në Lipjan, rreth 18 kilometra nga kryeqyteti i Kosovës, Prishtina.
“Në fillim e dërguam vajzën në Emergjencë, ku rezultoi se kishte një thyerje të vogël.” – shtoi ai për BIRN.
Ky nuk ishte një rast i zakonshëm i lëndimeve të nxënësve – duke luajtur në ambientet e shkollës. Ai kuptoi se ajo ishte vetëlënduar, siç thuhet, si rezultat i së ashtuquajturës në TikTok “Sfida e Supermenit”.
Pasi pranuan informacionin, Bahtiri tha se rasti u raportua në Polici të Kosovës dhe Drejtorinë Komunale të Arsimit në Lipjan. Ky është njëri nga pesë rastet e nxënësve në Lipjan, të cilët u vetëlënduan për shkak të kësaj sfide në TikTok.
Vetëm tre ditë më parë, një nxënëse tjetër u raportua se u lëndua në një shkollë fillore e të mesme të ulët, në Komunën e Istogut – duke marrë pjesë në “sfidë”. Një Komunë tjetër e Kosovës, Mitrovica numëroi shtatë raste të nxënësve, të cilët u vetëlënduan për të njëjtat arsye, brenda pak ditësh.
Në Shqipërinë fqinje, rastet më drastike nxitën protesta kur një 14 vjeçar u godit me thikë për vdekje nga një bashkëmoshatar afër shkollës së tij në kryeqytet, Tiranë. Qeveria shqiptare vendosi ta ndalojë TikTok-un, disa javë më vonë.
Megi Reci, një avokate dhe hulumtuese në sigurinë digjitale në Insitutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), në Tiranë i tha BIRN se problemi i dhunës në shoqërinë shqiptare është një çështje shumë më komplekse dhe mbyllja e TikTok-ut nuk do të ishte zgjidhja.
“Nuk mendoj se mbyllja e TikTok-ut është një zgjidhje ndaj çështjes së dhunës së të rinjve apo dhunës në shoqëri. Mendoj se këto probleme janë shumë më komplekse e sistematike në shoqërinë tonë dhe kanë nevojë për më shumë analiza, e shkojnë përtej rrjeteve sociale.” – tha Reci.
“Përmes TikTok-ut, të gjitha këto të këqija në Kosovë po ndodhin”
“Këto lojëra, që kërkojnë veprime të rrezikshme e të guximshme, mund të përforcojnë një kulturë të konkurrencës ekstreme e të agresivitetit, ku fëmijët ndihen të detyruar të përmirësojnë performancën e tyre kohë pas kohe, kështu duke e dëmtuar edhe vetën apo të tjerët.” – i tha BIRN Burbuqe Mikullovci, një psikologe nga Prishtina.
Policia e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjeve të BIRN-it, në lidhje me masat që janë marrë pasi u shfaqën rastet e vetëlëndimit dhe ajo vetëm ndau një komunikatë për media të dhënë në dhjetor.
“Superheronjtë nuk janë të vërtetë, kujdesuni për veten dhe shokët tuaj. Mos u bëni pjesë e lojës që rrezikon jetën.” thuhet në komunikatën e Policisë për media.
“Ne duhet t’i mësojmë fëmijët të kuptojnë më mirë rëndësinë e kujdesit të trupit dhe mendjes së tyre në radhë të parë, mirëqenies së tyre dhe të qëndrojnë larg aktiviteteve, të cilat sjellin pasiguri e dëme të tjera tek ata.” – ka shtuar psikologia Mikullovci.
Drejtori Bahtiri tha se nxënësit e informuan psikologen shkollore, që shoqja e tyre u lëndua.
“Kur psikologia shkoi atje [në tualet], vajza nuk i tregoi asaj se si u lëndua, por deklaroi se kishte marramendje dhe kishte rënë.” i tha BIRN-it Bahtiri.
Drilon Jaha, një ekspert i teknologjisë digjitale tha se një nga arsyet pse nxënësit i shikojnë këto video e sfida në TikTok është për shkak të algoritmave dhe interesit të tyre.
“Për momentin në botë te krejt rinia është shumë e popullarizume “short video content” ose përmbajtja e videove me gjatësi të shkurtër. E kanë bo sharing [shpërndarjen e përmbajtjeve] shumë lehtë, kanë çel account [llogari në TikTok] edhe kjo e ka lehtu që d.m.th sendet m’u bo trend.” – tha Jaha.
Përderisa Shqipëria ka bërë të ditur masën drastike ndaj TikTok-ut, Jaha parashikon se do të ishte e vështirë për Kosovën ta ndjekë shembullin.
“Australia e ndaloi përdorimin e TikTok-ut për fëmijë nën moshën 16 vjeçare.” – tha Jaha.
“Unë mendoj që është shumë problematike [të ndalet plotësisht përdorimi i Tik Tok], edhe është pothuajse tek ai farë territori i së pamundurës. Mendoj se na paraqet negativisht si shtet para botës.” – shpjegoi ai.
Në vend të kësaj, Jaha sugjeron të bëhet më shumë punë në rritjen e vetëdijes te fëmijët për rreziqet, të cilat bartin sfidat e TikTok-ut. Ai, gjithashtu, sugjeron që influencerët në Kosovë që e përdorin TikTok-un mund të ndihmonin, duke promovuar vetëdijësim për ndalimin e aktiviteteve të dëmshme.
Në tetor, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci shprehu shqetësimin e saj, ndërkohë që rastet e vetëlëndimit po rriteshin, duke i quajtur platformat online si “abuzive”. Ajo bëri thirrje për më shumë koordinim mes prindërve, mësimdhënësve, psikologëve e sociologëve “për ta rritur vetëdijësimin e fëmijëve, për një përdorim më të sigurt të internetit”.
Kërkesa e Kryeministrit të Shqipërisë për ta mbyllur TikTok-un
Pasi u përball me një protestë publike pas vrasjes së një 14 vjeçari në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama filloi një raund të bashkive me prindërit për t’i informuar ata për planet e Qeverisë, për ta ndalur TikTok-un në të gjithë territorin.
Muaj më parë, më 28.06.2024, Qeveria e Kosovës e ndaloi TikTok-un në të gjitha institucionet publike, me qëllim që t’i eliminojë sulmet kibernetike. Të gjithë zyrtarët u obliguan të hiqnin aplikacionin e TikTok-ut, nga të gjitha pajisjet zyrtare.
Më 21.12.2024, Rama njoftoi me pompozitet se Shqipëria do ta ndalonte TikTok-un për një vit, pas një kampanje konsultimesh. Ai shtoi se ky nuk ishte një vendim i nxituar dhe se ngjarjet e dhunshme nuk janë të izoluara.
“Keni parasysh se ndërkohë kemi bërë të gjitha hulumtimet, në aspektin teknologjik dhe do të duhen 6-8 javë, duke filluar nga Viti i Ri për ta mbyllur plotësisht [TikTok-un] për të gjithë, për një vit. Nuk do të ketë TikTok në Republikën e Shqipërisë.” – tha Rama.
Vendimi është kundërshtuar nga Shoqëria civile në vend dhe partitë opozitare, disa muaj para se Shqipëria të shkojë në Zgjedhje Parlamentare, në maj 2025.
Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha tha se ky është “një akt ekstrem cenzure”. Ai shtoi se një arsye tjetër ishte se aplikacioni u përdor nga qytetarët, për t’i dhënë zë kritikave të tyre ndaj Qeverisë.
“Ne jemi në prag të Zgjedhjeve dhe [Edi Rama] nuk mund ta tolerojë negativitetin e reflektuar nga qytetarët, në këto platforma.” – tha Berisha.
Pas vendimit të Tiranës, TikTok kërkoi për “qartësim urgjent nga Qeveria shqiptare”, në rastin e adoleshentit të goditur me thikë. Kompania tha se “nuk kishte gjetur asnjë provë që kryesi apo viktima kishin llogari në raportimet e shumta. Në fakt, kanë konfirmuar se videot e këtij incidenti ishin publikuar në një platformë tjetër, jo në TikTok.”
Kjo nuk është hera e parë që Qeveria shqiptare e fajëson TikTok-un për ngjarjet e dhunshme dhe filloi një diskutim publik rreth mundësisë për ta mbyllur TikTok-un në vend.
Megi Reci pranon se mund të ketë “probleme” në TikTok, por thotë se mbyllja e një rrjeti social nuk është praktikë e një shteti demokratik.
“TikTok mund të ketë problemet e veta në raport me mënyrën se si e filtron përmbajtjen e tij, si përhapet përmbajtja, fakti që ndoshta nuk ka filtra,… ndoshta nuk fshihen me kohë,… ndoshta ata nuk bashkëpunojnë me institucionet – probleme të ndryshme që kanë dalë.” – tha Reci.
“Megjithatë, vetë Qeveria e ka marrë përsipër ta rregullojë këtë marrëdhënie përmes marrëdhënies me Autoritetin e Mediave Audiovizuele (AMA) ose mbledhjeve që janë mbajtur më herët.” – shtoi ajo.
Për Rigels Xhemollari, një ekspert i arsimit që udhëheq organizatën joqeveritare “Qëndresa Qytetare”, mbyllja e TikTok-ut nuk është as problemi e as zgjidhja.
“Në të gjitha analizat që i kemi bërë, vlerësimi i strategjive dhe gjendja e situatës në arsim, mund të themi se TikTok nuk është as problemi e as zgjidhja.” – tha Xhemollari.
“Kufizimi i TikTok-ut për gjuhën e dhunës apo për njerëzit që shprehin gjuhën e dhunës është një çështje, që mund të zgjidhet shumë shpejt dhe me disa filtra nga institucionet relevante.” – përfundoi ai.
Artikulli fillimisht është publikuar në PrishtinaInsight.