
Kosova njihet zyrtarisht nga Amazon, Presidenca ia atribuon meritat Vjosa Osmanit
Kosova është njohur zyrtarisht nga kompania “Amazon” dhe tashmë është përfshirë në të gjitha platformat e saj.
Për këtë zhvillim, Presidenca ia ka atribuuar meritat të parës së shtetit, Vjosa Osmani.
“Kjo arritje vjen si rezultat i takimeve të nivelit të lartë të mbajtura në tetor të këtij viti, ndërmjet Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe përfaqësuesve të kompanisë “Amazon” në Washington D.C., SHBA.” – njofton Presidenca, më 31.12.2024.
Këto diskutime, siç njofton Presidenca, janë gjithashtu pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të ndërmarra nga Task Forca për Diplomacinë Digjitale, një iniciativë e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, e mbështetur nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.
Presidenca e ka quajtur këtë si një moment të rëndësishëm në zhvillimin dhe transformimin digjital të vendit.
“Prania në platformat “Amazon” u mundëson individëve dhe bizneseve kosovare ta zgjerojnë shtrirjen e tyre dhe t’i prezantojnë produktet vendore para një audience globale në amazon.com – duke nxitur rritjen ekonomike dhe inovacionin.” – thuhet në njoftim.
Ky zhvillim, sipas njoftimit, gjithashtu lehtëson qasjen për konsumatorët, të cilët mund të lidhen pa pengesa me një nga platformat më të mëdha të tregtisë elektronike në botë, si dhe përdorimin e shërbimeve si: Amazon Web Services (AwS), Amazon Alexa etj.
Përveç saj, është shtuar se Presidentja Osmani, në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane, po zhvillon takime të vazhdueshme edhe me platforma të tjera të rëndësishme digjitale, të cilat janë thelbësore për zhvillimin e sektorit të biznesit në vend dhe ekosistemit digjital në përgjithësi.
Gjatë vizitës në SHBA në tetor 2024, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte takuar me përfaqësues të Google dhe Amazon.
Përmes një kërkimi të thjeshtë në Amazon, shihet që në ballë të saj ku vendosen vendet përkatëse, është vendosur shteti i Kosovës.
“Amazon” është një kompani teknologjike me bazë në Seattle, Washington. Ajo u themelua nga Jeff Bezos në 1994 si një librari në internet, por shpejt zgjeroi shërbimet dhe produktet e saj për t’u bërë një nga kompanitë më të mëdha dhe më me ndikim në botë. Sot “Amazon” është i njohur për platformën e saj të tregtisë elektronike, ku klientët mund të blejnë një gamë të gjerë produktesh – duke përfshirë libra, elektronikë, veshje dhe sende ushqimore.
“Amazon” është një nga kompanitë më të mëdha globale, me një ndikim të rëndësishëm në tregtinë elektronike, teknologjinë, argëtimin, logjistikën dhe më shumë.