Kosova nënshkruan zyrtarisht aplikimin për vaksinën kundër COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, sot ka nënshkruar aplikimin zyrtar për sigurmin e vaksinës kundër COVID-19 me GAVI- COVAX.

“Kam nënshkruar sot aplikimin zyrtar për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19 në aleancën globale GAVI-COVAX, derisa aplikimin për asistencë teknike lidhur me këto vaksina, e kemi bërë ditë më parë, përmes Ekipit të ekspertëve, të themeluar nga unë me qëllim të sigurimit të kësaj vaksine”, ka njoftuar Ministri përmes një shkrimi në Facebook.

Tutje ai tha se Kosova do te shfrytëzojë dhe rrugë të tjerë për të shtuar numrin e vaksinave sipas nevojës.

Institucionet shëndetësore në Kosovë do të marrin falas 20% apo 360 mijë vaksina nga COVAX.

Zemaj tha se synimi i tij është që të vaksinohen grupet më të rrezikuara nga coronavirusi.

“Synimi ynë është që t’i vaksinojmë të grupet e popullatës që janë më të ekspozuara dhe rrezikuara nga COVID-19, siç janë nëpunësit shëndetësor, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, personali i shërbimeve të angazhuara në menaxhimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19…, por pa e përjashtuar asnjë kategori që duhet të vaksinohet kundër COVID-19, duke përmbushur obligimin ligjor”, thuhet tutje në njoftim.

“Për fat të mirë, Kosova është e listuar në mesin e shteteve që 20% të vaksinës kundër COVID-19 do ta marrin falas përmes aleancës globale GAVI-COVAX, derisa pjesën tjetër do ta blejë vet”, ka shkruar tutje ai.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.