Kosova nënshkruan marrëveshje me EUROPOL

Kosova do ta ketë një zyrtar ndërlidhës formal në institucionin ndërkombëtar të sigurisë EUROPOL. Kështu njoftoi ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës, Xhelal Sveçla.

Ai tha se marrëveshja e cila është nënshkruar sot mundëson një bashkëpunim më të ngushtë me EUROPOL.

“Sot, finalizuam nënshkrimin e marrëveshjeve me EUROPOL, me Drejtoreshën Ekzekutive Znj. Catherine De Bolle, përmes së cilave Kosovës i mundësohet caktimi i Zyrtarit Ndërlidhës formal në EUROPOL dhe krijohet linjë e sigurtë e komunikimit dhe shkëmbimit të informacionit me EUROPOL-in”, thuhet në njoftimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës.

Sipas Sveçlës, kjo marrëveshje do të ndihmojë edhe në luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“Këto marrëveshje, do të mundësojnë bashkëpunim dhe shkëmbim të drejtpërdrejtë e të sigurtë të informacioneve, ndërmjet Republikës së Kosovës, EUROPOL-it dhe Shteteve Anëtare të Unionit Evropian. Marrëveshjet e nënshkruara janë dëshmi e avancimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit në mes të Policisë së Kosovës dhe EUROPOL-it”, deklaroi ai.

Në fund, Sveçla tha se bashkëpunimi do të vazhdoj edhe në të ardhmen.