Artane Rizvanolli,KEK Foto: Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Kosova në negociata për blerje dhe këmbim të rrymës me Maqedoninë e Veriut e Bullgarinë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë vizitës së saj në Korporatën Energjetike të Kosovës tha se janë në negociata me Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Greqinë për marrëveshje që ka të bëjë me blerjen apo këmbimin e energjisë.

Ajo tha se aktualisht negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë do të vazhdojnë në nivel teknik përveç atij politik.

Rizvanolli theksoi se ende nuk ka marrëveshje me asnjë shtet.

“Ne kemi pasur diskutime në nivel politik me Maqedoninë e Veriut, Greqinë dhe Bullgarinë. Me Maqedoninë dhe Bullgarinë do të vazhdojnë negociatat në nivel teknik në nivel të operatorëve për të parë mundësinë për blerje apo këmbim. Aktualisht nuk ka marrëveshje. Maqedonia ka qenë në negociata deri para disa ditësh nuk e di nëse ka një marrëveshje të tillë” – tha ajo.

Ministrja Artane Rizvanolli tha se kriza energjetike në sezonin e dimrit pritet të jetë e rëndë, dhe do ta përfshijë gjithë Evropën.

Ajo u bëri apel qytetarëve për kursim ndërsa as nuk mohoi e as pohoi mundësinë për reduktime të energjisë.

Rizvanolli theksoi çmimin e lartë të importit të energjisë ndërsa shtoi se duhet të ketë një diskutim të hapur në shoqëri se deri në çfarë çmimi Kosova duhet të paguajë importin e rrymës.