Kosova në NATO e në BE, Galeotti tregon nëse duhet të përshpejtohet ky proces

Në një intervistë në “Kallxo Përnime”, Mark Galeotti, eksperti dhe historiani i njohur i Rusisë, ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Evropian, duke treguar nëse duhet të përshpejtohet ky proces.

Galeotti ka thënë se nuk mendon, personalisht, që këto dy kërkesa janë të tepruara dhe larg të së mundurës, por tha që ka ndjeshmëri politike që do ta pengonin realizimin e këtyre kërkesave.

“Nuk mendoj ashtu, personalisht, por në anën tjetër i kuptoj të gjitha ndjeshmëritë politike që do të mund ta pengonin (realizimin) e këtyre kërkesave” – tha historiani i njohur i Rusisë.

Madje, Galeotti tregoi se Kosova është duke punuar për të përshpejtuar dhe për të plotësuar kriteret që të anëtarësohet në BE. Ai tha se për këtë çështje mendon që të gjithë pajtohen dhe që askush nuk e vë në pikëpyetje nëse diçka e tillë po kryhet nga ana e Kosovës.

Mirëpo, Galeotti tha se procesi i anëtarësimit, apo edhe i përshpejtimit të këtij procesi të Kosovës, më shumë ka të bëjë me efektet në pjesën tjetër të rajonit.

Përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE, Galeotti e cilëson si një deklaratë shumë të fuqishme që do të tregonte se Bashkimi Evropian është kthyer fuqishëm në Kosovë.

“Pasja e një rruge të përshpejtuar për Kosovën drejt anëtarësimit në BE, diçka që shumë serbë do ta dëshironin për shtetin e tyre, edhe pse perspektivat e tyre mund të ndryshojnë, mendoj që do të ishte një deklaratë shumë e fuqishme që do të tregonte se Bashkimi Evropian është kthyer fuqishëm në Kosovë” – u shpreh historiani dhe eksperti i Rusisë.

Sipas tij, për procesin e anëtarësimit është krijuar një qasje me e lehtë e ‘emëruesit të përbashkët’, që lë të nënkuptohet që nëse nuk është gati i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor, nuk është gati asnjë shtet. E këtë ‘qasje më të lehtë’, Galeotti e cilësoi si një gabim serioz.

“Kjo ka ndikuar në krijimin e qasjes më të lehtë si emëruesi i përbashkët e që thotë se nëse nuk është gati i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor, atëherë ne duhet të ndalemi dhe mendoj që ky është një gabim serioz” – tha ai.

Galeotti tha se Kosova duhet të trajtohet bazuar në meritat e saj, duke shtuar se mendon që meritat e punës së Kosovës janë shumë të qarta.

Në çështjen e anëtarësimit të Kosovës në BE, Galeotti përmendi edhe faktorin serb, për të cilin mendon që ndikon në këtë proces integrues.

Galeotti thotë se për Serbinë do të ishte e papërshtatshme një Kosovë që është anëtare e NATO-s, që teknikisht do të kishte edhe mbrojtje automatike, sipas nenit 5 të garancioneve për shtetet anëtare të NATO-s.

Se a është lejuar që Kosovës t’i shkruhet narrativa e saj nga vetë ajo apo t’i shkruhet nga individë e shtetet e tjera rreth saj, Galeotti tha se nuk mendon që mund të përgjigjet.

Por, gjithsesi ai tha se të gjitha shtetet shihen në kontekst të rajonit ku gjenden dhe mendon që kjo është pjesë e tragjedisë së Kosovës, që sipas tij nuk konsiderohet si shtet me meritat e veta por shihet si pjesë e Ballkanit Perëndimor.

“Mendoj që Kosova duhet të gjejë mënyra si të dalë nga ky rreth” – u shpreh Galeotti duke thënë se një shembull tjetër i kësaj janë edhe shtetet e Baltikut.

“Secili nga këto tri shtete të vogla që u ndanë nga Bashkimi Sovjetik pas një periudhe kontrolli nga ky i fundit, ato ishin shumë serioze në përkufizimin e vetes e që nuk ishin vende post-sovjetike, por që duhet të vlerësohen të vetme bazuar në meritat e veta” – tha ai.

Galeotti shtoi se nuk e di se deri në çfarë mase e ka bërë një veprim të tillë Kosova dhe tha se nuk e di nëse Kosova u është qasur shteteve të Baltikut për t’i afruar si aleatë dhe t’u thotë që ne jemi në një pozitë të ngjashme me njëra-tjetrën.

Historiani dhe eksperti i Rusisë u pyet se si është e mundur që vendet e Ballkanit Perëndimor që janë shumë më larg nga Rusia janë më të prira të ndikohen nga ajo sesa vendet që gjenden më afër saj, për shembull shtetet e Baltikut.

Ai për këtë tha se në një mënyrë mendon që pikërisht për shkak që gjenden më larg mund të ndikohen më lehtë.

“Secili shtet i ka specifikat e veta, por nuk ka rëndësi nëse dikush është në Rumani, në Republikën Çeke apo në Lituani, sepse të gjithë e kanë perspektivën e qartë se çfarë shteti ka qenë Bashkimi Sovjetik më parë dhe çfarë shteti është aktualisht Rusia e udhëhequr nga Putini” – tha ai.

Sipas Galeottit, nëse një vend, siç janë ato të Ballkanit të Perëndimor, gjenden shumë më larg Rusisë, e kanë shumë më të lehtë që këtë vend ta shohin me një pikëvështrim më romantik.