Kosova ndihmon Kroacinë me 100 mijë euro pas tërmetit

Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për ndarjen e 100 mijë eurove, për mbështetjen e Kroacisë, pas tërmetit që ka goditur këtë vend.

“Me këtë vendim, Qeveria e Republikës së Kosovës, rreshtohet përkrah shteteve solidare të cilat po e ndihmojnë Republikën e Kroacisë, në sanimin e dëmeve që ka shkaktuar tërmeti”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka shprehur zotimin dhe gatishmërinë që të ndihmojë qytetarët dhe institucionet e Kroacisë në tejkalimin e situatës së rëndë me të cilën po përballen, pas tërmetit i cili ditë më parë goditi këtë vend.

Tërmeti i 29 dhjetorit me magnitudë prej 6.3 shkallësh të Rihterit në Petrinja të Kroacisë, la disa persona të vdekur dhe shumë të tjerë të lënduar.

Autoritet e këtij vendi janë duke vazhduar kërkimet në rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga ky tërmet i fuqishëm.

Tërmeti u dëgjua në kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb, vendet fqinje Bosnia, Serbia dhe në Itali.

Qyteti i Petrinjas ka rreth 20 mijë banorë.