Kosova ndër të fundit në Evropë bëhet me Sistem Nacional për Monitorim të Spektrit frekuencor
Sot është inauguruar Sistemi Nacional për Monitorim të Spektrit Frekuencor në Mitrovicë.
Sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Kosova ishte ndër vendet e fundit në Evropë që nuk e ka pasur një sistem të tillë të monitorimit të spektrit frekuencor.
“Kosova ishte ndër vendet e fundit në Evropë që nuk e kishte një sistem të tillë të monitorimit të spektrit frekuencor 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Jam shumë e lumtur që kjo tashmë është ndryshuar dhe që inaugurimin e këtij sistemi e kemi bërë pikërisht në Mitrovicë” – shtoi më tej Rizvanolli.
Ajo ka thënë se ky Sistem është shpallur si projekt me rëndësi për sigurinë nacionale që në mbledhjen e parë të Qeverisë.
Në inaugurimin e SNMS-së, përveç ministres Rizvanolli, morën pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e përfaqësues të Bankës Botërore dhe Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare.
Ministrja Rizvanolli tutje shtoi se përmes këtij projekti, janë të përkushtuar që brezi frekuencor të jetë i rregulluar por edhe sovran nga ndikimet e jashtme në Kosovë.
“Ky sistem do të mundësojë që – si çdo pasuri tjetër e Republikës së Kosovës – edhe brezi frekuencor, jo vetëm që shfrytëzohet por edhe mbrohet nga shteti” – theksoi Rizvanolli.
SNMS me katër stacione fikse dhe një lëvizës monitorues do të mundësojnë monitorimin më efikas të spektrit frekuencor në tërë territorin e Kosovës, si dhe do të mundësojë:
– Mbrojtjen e sigurinë kombëtare;
– Mirëmbajtjen e rendit publik;
– Shërbimet publike emergjente;
– Mbrojtjen e kufijve shtetërorë;
– Monitorimin e spektrit frekuencor të mediave audio-vizuele;
– Sigurinë hekurudhore;