
Kosova ndau gjysmëmilioni euro për palestinezët në Gazë, mbetet e paqartë mbikëqyrja e fondit
Gjysmëmilioni euro i ka ndarë Qeveria e Kosovës, më 31.01.2025, si ndihmë humanitare për palestinezët në Gazë, por askush nga autoritetet qeveritare nuk jep shpjegime se përmes cilit mekanizëm do ta mbikëqyrë mënyrën e shfrytëzimit të këtyre mjeteve, kur dihet se Kosova dhe Palestina nuk kanë marrëdhënie diplomatike mes vete.
Ndarja e mjeteve u bë me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Për këtë Vendim të Qeverisë së Kosovës KALLXO.com më 31.01.2025 ka pyetur Kryeministrinë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për aspektin e monitorimit të dorëzimit të mjeteve, por as nga Zyra e Kryeministrit e as nga MPJD deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë dhënë kurrfarë përgjigje.
Detaje të tilla nuk ka as në Vendimin e publikuar në uebfaqen e Zyrës së Kryeministrit.
Në këtë uebfaqe është i publikuar vetëm Vendimi përmes të cilit ndahen mjetet, por pa sqarime shtesë.
Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë, më 31.01.2025, ka thënë se populli palestinez ka nevojë për mbështetje humanitare, si pasojë e luftës atje.
“Qeveria do të ndajë gjysmëmilioni euro për ndihmë humanitare për qytetarët në Gazë. Në mënyrë që të mbijetojnë dhe të rindërtojnë vendin e tyre, ata kanë nevojë për ndihmë nga vendet e tjera.” – deklaroi Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë.
Ai bëri thirrje që armëpushimi aktual në Gazë të shfrytëzohet për arritje të paqes së qëndrueshme.
Ndarja e mjeteve për qëllime humanitare për një vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës nuk bëhet për herë të parë nga Qeveria e Kosovës. Më 23 mars 2022, me kërkesë të MPJD-së u patën ndarë 100 mijë euro për Ukrainën. “Në përgjigje të thirrjes së Ukrainës për mbështetje me ndihma humanitare bërë përmes përfaqësive të saj diplomatike dhe me qëllim të shprehjes së solidaritetit përmes ndihmës së ofruar për popullin e Ukrainës, viktimë e agresionit rus, MPJD ka propozuar ndarjen e 100 mijë eurove.” – pati deklaruar kryeministri, Albin Kurti.
Edhe në rrjetin social TikTok janë publikuar informacione në lidhje me vendimin e Qeverisë Kurti, të cilat mund t’i gjeni KËTU dhe KËTU.
Por ndryshe nga rasti për Gazën, për Ukrainën u patën dhënë hollësi. MPJD pati sqaruar se të hollat do t’i jepeshin Shoqatës humanitare “Nënë Tereza”, e cila më pas do të merrej me organizimin/blerjen e produkteve “Made in Kosova”, të cilat më pas përmes transportit rrugor do të niseshin për në Ukrainë.
Për Gazën kanë munguar hollësitë e tilla.
Gëzimi i mijëra familjeve palestineze që u kthyen në shtëpi në Gazën veriore, pas armëpushimit me Izraelin, po kthehet në dëshpërim, teksa po përballen me realitetin e shtëpive të ftohta, të pabanueshme, të bombarduara, si dhe me mungesa të ashpra të ushqimeve – ka raportuar ditë më parë Reuters.
Shumë prej tyre, sipas kësaj Agjencie, kanë nisur të ankohen për mungesën e ujit të rrjedhshëm – duke u detyruar të presin në radhë për orë të tëra për të mbushur enët plastike, sa për pirje a pastrim. Me shumicën e shtëpive që tani janë kthyer me rrënoja, aq sa syri mund të shohë, të kthyerit kanë pastruar çdo send të dobishëm që ka mbetur nga pronat e tyre, për të ngritur tenda të improvizuara.
Marrëveshja e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit është arritur më 15.01.2025. Kjo Marrëveshje përfshin edhe lirimin e pengjeve të marra nga Hamasi dhe lirimin e shumë të burgosurve palestinezë të cilët mbahen në burgjet izraelite.
Më 07.01. 2023, Hamasi ndërmori një sulm vdekjeprurës në Izrael, duke vrarë 1.200 njerëz, kryesisht civilë dhe u rrëmbyen 250 persona.
Izraeli u kundërpërgjigj me sulme të ashpra, duke shkaktuar mbi 46.000 palestinezë të vrarë dhe shkatërrime të madha në Gazë.
Së voni, plani i presidentit Donald Trump që Shtetet e Bashkuara të marrin përsipër kontrollin e Gazës së shkatërruar nga lufta dhe ta kthejnë në “rivierë të Lindjes së Mesme” pas zhvendosjes së palestinezëve gjetiu ka davaritur politikën amerikane për konfliktin izraelito-palestinez dhe ka ngjallur kritika të shumta – ka raportuar më 05.02.2025 Reuters.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka bërë thirrje që të shmanget “spastrimi etnik në Gazë”.
“Në kërkim të zgjidhjeve, ne nuk duhet ta përkeqësojmë problemin. Është jetike t’i qëndrojmë besnik thelbit të së drejtës ndërkombëtare. Është thelbësore të shmanget çdo formë spastrimi etnik.” – ka deklaruar ai në një takim të planifikuar më parë të një Komiteti të OKB-së.