Kosova merr pjesën e dytë të ndihmës prej 5 milionë euro nga Bashkimi Evropian

Zëvendës shefi i Zyrës së BE në Kosovë, Riccardo Serri, sot ka dorëzuar pjesën e dytë të ndihmës nga Bashkimi Evropian prej 5 milionë eurove për Kosovën, për luftimin e COVID-19.

Kjo ndihmë është pranuar nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Sipas njoftimit, ndihma e sotme përmban 60 mijë maska për frymëmarrje, 19 mijë mburoja për fytyrën, 60 mijë shtroje njëpërdorimëshe, 171 mijë palë doreza kirugjikale dhe 15 mijë litra dezinfektues duarsh.

“Prioriteti vazhdon të jetë menaxhimi efektiv i çdo shpërthimi të mëtejshëm të pandemisë. Me bashkëpunimin e krejt qytetarëve, Kosova do të vazhdojë të jetë e suksesshme në parandalimin e përhapjes së Covid-19. Dëshiroj ta shfrytëzoj këtë mundësi që ta falënderoj të gjithë stafin mjekësor që janë në vijën e parë të kësaj pandemie”, citohet të ketë thënë Riccardo Serri.

Në muajin prill, BE-ja solli në Kosovë mbi 1.4 milionë doreza të ndryshme mbrojtëse mjekësore, 4 mijë mburoja për fytyrën, 3 mijë syze mbrojtëse, 4 mijë litra dezinfektues duarsh, 10 mijë palë shtroje njëpërdorimshe, dhe 50 kuti për transportimin e mostrave laboratorike.

“Përveç kësaj ndihme direkte për sektorin e shëndetësisë, BE-ja po përgatit edhe rreth 63 milionë euro si masa afatmesme për ndihmë me grante socio-ekonomike, si dhe rreth 100 milionë euro kredi si ndihmë makro-ekonomike për Kosovën”, thuhet në njoftim.