Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kosova merr masa mbrojtëse ndaj disa kompanive serbe

Ministrja e Industrisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë që sot i kanë marrë dy vendime për masa mbrojtëse antidamping ndaj produkteve të caktuara të importuara nga Serbia.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka mbajtur konferencë lidhur me masat antidamping. Ajo ka thënë se vendimi lidhet me masat mbrojtëse antidamping të importuara nga Serbia.

Masat anti-domping janë tarifat që i vendos shteti ndaj produkteve të caktuara të një shteti nëse vlerëson se çmimi i importit dhe shitjes së tyre në Kosovë është nën koston e prodhimit të tyre dhe është çmim më i ultë se sa në shtetin që prodhohet.

“Për importin e koncentratit për shpezë dhe kafshë nga Serbia dhe për blloka. Të dy vendimet janë marre në përputhje me Kushtetutën, masat antidamping. Masat antidamping në importin e bllokave është marrë ndaj importit të bllokave për kompaninë e përmendur në vendim, kurse për koncentratin ndaj kompanive. Sot është dita e 61 nga fillimi i hetimeve. Në caktimin e lartësisë së masave, jemi kujdesur qe prodhuesit vendorë të mos rrisin çmimin për konsumatorët”, ka thënë ajo.

Hajdari ka shtuar se më 24 shtator 2021 kanë dërguar letër në CEFTA për përfaqësimin e vendit pa ndërmjetësimin e UNMIK-ut.

Zef Dedaj, drejtor i Departamentit të Tregtisë, ka thënë se efekti i kësaj mase do të jetë në uljen e importit nga Serbia.

Fakti që sot e kemi një mase në 3 centë dhe jo 2 centë bazohet në statistika. Mund të ketë hapësirë edhe për 4, meqë ka hapësirë për ndryshim kemi shkuar në 3. Kjo do të ketë efekt për uljen e importit nga Serbia. Nuk do ta afektojë konsumatorin. Pas 6 muajve nëse ka nevojë për 4 centë do të bëhet. Kjo e cila vazhdohet si e përkohshme për 6 muaj, vazhdohet pastaj për 6 muaj”, ka thënë ai.

Ministrja Hajdari foli edhe për mundësinë e reciprocitetit të plotë me Serbinë.

Ministria po vijon bashkërendimin që përpos dokumentimit te barrierave tregtare të Serbisë te sigurohemi në ngritjen e kapaciteteve institucionale sepse janë edhe shume institucione tjera. Kryeministri ka përmendur doganën, agjencinë e ushqimit dhe të tjera. Ndonëse rrethanat në terren dhe ndjeshmëria e rastit nuk na lejon të japim detaje, puna jonë do të jetë në mbrojtje të ndërmarrësisë dhe tregtisë. Nëse ju tregojmë për veprimet tona do t’i dëmtojmë këto veprime”, ka thënë ajo./RTKlive