Qeveria e Kosovës. Foto: Zyra e kryeministrit në Facebook

Kosova me vetëm 35 inspektorë të punës, Kurti premtonte pesëfishim të tyre

Ka kaluar më shumë se një vit qeverisje, por ekzekutivi që drejton Albin Kurti nuk ka arritur të shtoi numrin e inspektorëve të punës. Për katër muaj, tetë punëtorë gjetën vdekjen në vendin e punës në Kosovë.

Punëtorët në vendin tonë përballen me kushte të këqija në vendin e punës: lëndime, pa kontrata të punës e me orare të tejzgjatura.

Sot shënohet 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punës. Kjo ditë iu referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës

Inspektorati i Punës, që është në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, aktualisht numëron vetëm 35 inspektorë. Këtë e ka konfirmuar ushtruesi i detyrës së kryeinspektorit të punës, Agim Millaku.

Partia që është në pushtet, gjatë fushatës së fundit zgjedhore, premtonte rritjen e numrit të inspektorëve të punës. Madje, Vetëvendosje premtonte që numri i inspektorëve të shkonte në rreth 200.

“Gjithashtu do pesëfishojmë numrin e inspektorëve të punës, me synim parandalimin e diskriminimit të punëmarrësve dhe parandalimin e rreziqeve në punë”, thoshte Albin Kurti derisa shpaloste ‘Prioritetet për krejt qytetarët drejt së ardhmes 2021’.

Të njëjtin premtim, Kurti, sa ishte kandidat për kryeministër, e dha edhe në paraqitjet televizive, siç ishte ajo në “DebatPërnime” më 5 shkurt të vitit 2021.

Por, pesëfishimi i inspektorëve të punës nuk është përmend në programin qeverisës. Në një paragraf ku flitet për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve,  shprehen disa premtime por pa shifra.

“Do të rrisim inspektorët e punës, do të avancojmë kapacitetet Agjencisë së Punësimit, do të rrisim pagën minimale, do të njohim punën praktike si përvojë pune, do të ngrisim kapacitetet për shqyrtimin e ankesave nga punëtorët dhe do të rregullojmë pushimit e lehonisë dhe atij prindëror”, thuhet në programin e Qeverisë së Kosovës 2021-2025.

Për çdo vit, Kosova shënon numër të lartë të vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës. Gjatë vitit të kaluar u shënuan 14 vdekje në vendin e punës ndërsa rreth 300 të tjerë u lënduan.

Lëndime e vdekje në vendin e punës u shënuan edhe përgjatë vitit 2020. Të dhënat tregojnë që 11 punëtorë vdiqen në vendin e punës e mbi 160 të tjerë ishin lënduar.

Vdekjet, lëndimet në vendet e punës e mungesa e kontratave, sfidat kryesore të punëtorëve të Kosovës

www.kallxo.com