Kosova kushtëzon Serbinë për Asociacionin: Zbatimi, pas njohjes reciproke

Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të rikthehet në fokus të dialogut Kosovë-Serbi këtë të enjte, porse autoritetet kosovare insistojnë se kjo temë “do të jetë vetëm pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet të dyjave vendeve”.

Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit Avdullah Hoti thotë se Kosova do të kushtëzojë zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë Serbe me njohjen reciproke. Ai e konfirmoi këtë qëndrim për Radion Evropa e Lirë, para se ekipet e ekspertëve të të dyjave vendeve të takohen të enjten në Bruksel, ku do të diskutojnë “për aranzhimet rreth komuniteteve joshumicë dhe zgjidhjen e kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronave”.

Beqiri insiston se Kosova nuk do të nënshkruajë marrëveshje të veçanta për çështje specifike.

“Qëndrimi zyrtar i delegacionit të Kosovës dhe i kryeministrit po ashtu, është se asnjë marrëveshje, sado e vogël, për çështje që duken të parëndësishme, nuk mund të arrihet, nëse nuk arrihet marrëveshja finale, ligjërisht e obligueshme, gjithëpërfshirëse, ku do të përfshihet edhe njohja”, deklaroi Beqiri për REL.

Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Më 2015, të dyja vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kishin arritur një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni, porse Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur që parimet për Asociacionin nuk janë në përputhje me Kushtetutën. Megjithatë, Kushtetuesja përcakton se parimet mund të harmonizohen me akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke folur në një debat në Komitetin për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian tha se Kosova do ta respektojë Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të vitit 2015. Pas kthimit në Prishtinë, ai tha se “zbatimi i marrëveshjes do të bëhet në përputhje me secilën shkronjë të Kushtetutës”.

Sidoqoftë, mbetet e paqartë se si do të procedohet tutje, kur kihet parasysh se një ekip menaxhues në gusht të 2018-tës, i përbërë nga katër anëtarë serbë – Vinka Radosavljeviq, Dejan Radojkoviq, Igor Kallamar dhe Svetisllav Durleviq – kishte dorëzuar në Bruksel një draft-statut për funksionalizmin e Asociacionit, i cili nuk u diskutua asnjëherë dhe mbeti në sirtarët e BE-së. Ky ekip menaxhues, i emëruar zyrtarisht nga Qeveria e Kosovës, kishte autonomi të plotë në punën e vet.

Thaçi: Rihapja e temës së Asociacionit, kthim prapa për Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një deklarimi për media në Prishtinë më 15 shtator, u shpreh kritik për rihapjen e temës së Asociacionit në dialogun me Serbinë, duke e cilësuar këtë gjë si “kthim prapa për Kosovën”.

Presidenti Thaçi deklaroi se takimi i së enjtes, në mes të ekipeve të ekspertëve, është i rrezikshëm duke shtuar se askush nuk ka të drejtë që të arrijë një marrëveshje të re për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Rihapja e çështjes së Asociacionit përsëri në Bruksel, pas një dekade, është rikthim prapa për Kosovën. Është goditje ndaj shtetësisë së Kosovës dhe cenim i sovranitetit e me rrezik për krijimin e ‘Republikës Serbe në Kosovë’. Për diçka të tillë mendoj se Parlamenti i Kosovës duhet të jetë shumë i vëmendshëm. Këtë të drejtë nuk e ka askush që të ulet të diskutojë as të negociojë e lëre të pretendojë të arrijë ndonjë marrëveshje të re për Asociacionin”, u shpreh Thaçi.

BE konfirmon diskutimet për Asociacionin

Në BE nuk i janë përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse draft-statuti i ekipit menaxhues është ende valid apo nëse do të jetë temë diskutimi.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, i tha Radios Evropa e Lirë se në takimin e së enjtes do të ketë diskutime për aranzhimet e përgjithshme, në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Asociacioni/Bashkësia ishte mekanizëm që u gjet në 2013-tën për të adresuar nevojat e komunitetit joshumicë serb. Është esenciale që si pjesë e negociatave për marrëveshje gjithëpërfshirëse, të adresohen aranzhimet e përgjithshme për komunitetin joshumicë”, deklaroi Stano, pa specifikuar përmbajtjen e “aranzhimeve të përgjithshme”.

(Mos)Koordinimi i koalicionit qeverisës

Partnerja në koalicionin qeveritar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), është zënë në ‘befasi’ nga rihapja e temës së Asociacionit dhe zotimi i kryeministrit Hoti në Parlamentin Evropian për zbatimin e marrëveshjes të vitit 2015.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, që vjen nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, në një deklarim për Radion Evropa e Lirë tha se kjo çështje as që ishte temë diskutimi në takimet e javës së kaluar në Bruksel, gjatë një vizite zyrtare të delegacionit qeveritar të Kosovës.

“Mund të konfirmoj se në asnjë takim që kam qenë unë, Asociacioni nuk u hap si temë. Gjatë vizitës së fundit në Bruksel, unë i kam pasur tri takime me kryeministrin dhe asnjëherë nuk u hap si temë. Temat kanë qenë (raportet me) Brukselin, përditësimi për dialogun dhe ka pasur pyetje që kanë qenë publike prej deputetëve. Dhe me sa e di unë, me sa më kujtohet, askush nuk ka pyetur për këtë temë”, tha Tahiri, duke shtuar se nuk ka njohuri se çfarë do të ndodhë në procesin tjetër dialogues të Brukselit.

Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, që vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka emëruar Skender Hysenin si koordinator për dialogun me Serbinë, gjë që kishte acaruar raportet LDK-AAK, ku kjo e fundit kishte kërkuar publikisht përfshirjen e zyrtarëve të saj në proces. Hyseni nuk ka dhënë detaje për temat që do të diskutohen.

Pas takimit të ekspertëve këtë të enjte, përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka paralajmëruar një takim në nivel liderësh, brenda muajit shtator.

Pas emërimit në këtë post në prill të këtij viti, Lajçak pati thënë se dialogu Prishtinë-Beograd nuk do të jetë proces i pafund, duke paralajmëruar marrëveshje eventuale brenda një viti. Edhe mandati i tij fillestar është i kufizuar në 12 muaj. /REL