Kosova kthen 11 shtetas nga Siria, mes tyre një grua me fëmijë

11 shtetas të Kosovës janë kthyer nga zonat e konfliktit në Siri. Kështu ka njoftuar Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Ai ka thënë se Kosova është vend lider në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizimit.

“Kosova është krenare që është lider global në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit. Sot, ne kemi kthyer 11 shtetas të Kosovës nga zonat e konfliktit në Siri. Duke i kthyer këta persona, ne jemi duke ushtruar përgjegjësinë tonë, jo vetëm ndaj qytetarëve tanë, por edhe si anëtarë të Koalicionit Global për të mposhtur ISIS-in”, shkroi në Facebook ministri Sveçla.

Ai ka thënë se në mesin e të kthyerve është një grua me fëmijë, për të cilët ka kërkuar që të u ruhet privatësia.

“Kosova gjithmonë do të jetë shtëpia e qytetarëve të saj. Ata të cilët kanë kryer krime, këtu apo jashtë, do të ndiqen penalisht. Gruaja dhe fëmijët që kemi kthyer sot kanë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen tonë. Ne kërkojmë nga të gjithë që të respektojnë privatësinë e tyre në ditët, javët dhe muajt në vazhdim. Ata kanë dhe meritojnë të kenë kohën dhe hapësirën e nevojshme që të adaptohen. Qeveria jonë është duke i ndihmuar që të kthehen në familjet e tyre, në mënyrë që ata të riintegrohen në rrethin e tyre. Ne nuk do të ndalemi së shërbyeri qytetarëve tanë!”, thuhet në njoftim.