BE, EU, Bruksel

Komisioni Europian - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Kosova kryeson CEFTA-n vitin tjetër, KE: Ministria e Tregtisë urgjentisht t'i forcojë kapacitetet

Komisioni Europian e ka cilësuar si urgjente forcimin e kapaciteteve në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, duke përfshirë edhe numrin e personelit, veçanërisht duke pasur parasysh përgjegjësitë e ardhshme të kryesimit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë (CEFTA) në vitin 2025, por edhe negociatat tregtare.

Një rekomandim i tillë është dhënë në kapitullin për marrdhëniet e jashtme në Raportin e Progresit për vitin 2024, i cili u publikua më 30.10.2024.

Ndërkaq, sa i përket politikës së përbashkët tregtare, thuhet se Kosova nuk ka miratuar politikë gjithëpërfshirëse tregtare e as nuk ka ratifikuar Protokollet Shtesë të CEFTA-s për lehtësimin e tregtisë dhe shërbimeve dhe as Protokollin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. 

“Kosova, së bashku me të gjithë pjesëmarrësit në Planin e Veprimit të Tregut të Përbashkët (CRM), duhet të luajnë një rol konstruktiv dhe të realizojnë angazhimet e përbashkëta të përcaktuara në planin e veprimit”- shkruan në Raport.

Në vijim, theksohet se Qeveria mbështet CRM-në si bazë për një marrëveshje rajonale të tregtisë së lirë. Kosova, thuhet se vazhdoi të përparojë në zbatimin e masave teknike të Planit të Veprimit CRM për 2021-2024, veçanërisht në lidhje me korsitë e gjelbra.

Si përparim shihet se rreth 11 operatorë ekonomikë të autorizuar janë licencuar në vitin 2023; shkëmbimi sistematik i të dhënave elektronike u përditësua; miratimi i projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale për infermierët, kirurgët, veterinerët, farmacistët dhe mamitë në kuadër të CEFTA-s.

Për sa i përket marrëveshjeve dypalëshe me vendet e treta për bashkëpunimin ekonomik/tregtar/teknik, Kosova ka marrëveshje të tregtisë së lirë me Turqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, shkruan në Raport.

Kosova përfundimisht do të përfaqësohet në CEFTA nga ministrat e saj. E, ndryshimet e fundit për përfaqësimin e Kosovës në këtë organizatë rajonale konsiderohet se do të mundësojnë përfitime të reja që do të jenë shtysë e madhe për ekonominë e vendit.

Në vendimin që u publikua rishtazi në CEFTA dhe hyri në fuqi ditën e nënshkrimit, fjalia në vendimin e 28 shtatorit 2007 ku shkruante se Kosova përfaqësohet nga UNMIK-u, është fshirë. Pra, më nuk do të përfaqësohet nga një mision i vendosur në Kosovë.

Që nga viti 2007, për Kosovën në CEFTA kishte folur UNMIK-u.

CEFTA është një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Europian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Atëbotë, marrëveshja për anëtarësim u nënshkrua nga UNMIK-u, në emër të Kosovës.

Pas pavarësisë, institucionet kosovare ndërruan vulat doganore, mirëpo edhe pse u vendosën simbolet shtetërore, Kosova vazhdoi të përfaqësohet nga UNMIK-u.

Vendimmarrja në CEFTA, ishte bllokuar për shkak se Qeveria ka kërkuar që Kosova të përfaqësohet si shtet që ka shpallur pavarësinë, e jo përmes misionit të OKB-së, UNMIK-ut.

Muajve të fundit Gjermania kishte rritur presionin ndaj Kosovës për zhbllokimin e mallrave serbe.

Në emër të Gjermanisë, i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, disa herë me radhë gjatë muajve të fundit paralajmëroi se ndalimi i mallrave serbe bllokonte punën e CEFTA-s.

Herën e parë që erdhi në Kosovë, Sarrazin tha se “duhen kompromise jo të lehta mes Kosovës dhe Serbisë” e në të fundit tha se “s’mund të prisni vetëm nga Gjermania”, por “punën e saj diplomatike duhet ta bëjë vetë Kosova”. E, një ndër më të rëndat, ishte deklarata e dhënë ndërmjet të dyjave, kur emisari gjerman tha se “Kosova mund të përjashtohet nga Procesi i Berlinit”.

Pak pe u lëshua një javë para Samitit të Berlinit, pasiqë siç bëri të ditur Kurti, që nga 7 tetori u ndryshua masa e sigurisë për mallrat serbe në Merdare, nga “e kufizuar” në “kontroll të shtuar”. Ky ndryshim, sipas tij, do të vlejë “derisa të sigurohen skanerët e tekonologjisë së lartë” për kontrollin e mallrave në kufi.

Rruga e zorshme për përfaqësim si Kosovë në CEFTA: Cilat do të jenë përfitimet për vendin?