Kosova konsumon energji tri herë më shumë se mesatarja e Evropës

Intensiteti i konsumit të energjisë elektrike në Kosovës është tri herë më shumë se mesatarja e Evropës.

Kështu ka thënë në emisionin ”Kallxo Përnime” ushtruesi i detyrës së drejtorit Menaxhues në Fondin e Kosovës për Efiçiencën e Energjisë (FKEE), Naim Bujupi.

“Në bazë të studimeve dhe vlerësime thuhet se intensiteti i konsumit të energjisë ne e kemi tri herë më shumë se mesatarja e Evropës”, tha Bujupi.

Ai tregoi se nëse konsumi i energjisë ne vend krahasohet me vendet e rajonit, atëherë Kosovës e ka një mesatare prej 25% më shumë.

Bujupi tregoi se Kosova harxhon rrymë më shumë, pasi shtëpitë në vend nuk janë të izoluara.

“Nuk ka performancë të mirë energjetike të ndërtesave në përgjithësi, sidomos të sektorit rezidencial”, tha ai duke shtuar se Kosova është e detyruar të ndërmarr masa në sektorin rezidencial.

Diçka e tillë ai ka thënë se duhet të ndodh pasi ndryshe nuk mund të arrihen objektivat që janë të synuara të realizohen në bazë të Draftit e Strategjisë së Energjisë për vitet 2022-2031, që u publikua me 7 qershor të këtij viti nga Qeveria e Kosovës.

Bujupi e cilësoi si të detyrueshme për shtetin që të ndërmarr veprime në drejtim të ndërtesave rezidenciale.