Foto: Zyra e Kryeministrit
Kosova kërkon mbështetje nga Maqedonia e Veriut “në forume dhe takime ku s'është e pranishme”
Në një takim mes përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, të prirë nga kryeministri Albin Kurti dhe një delegacioni nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të kryesuar nga kryekuvendari Afrim Gashi u diskutua për mundësinë e mbështetjes nga ana e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ndaj Kosovës në forume dhe takime ku Kosova nuk është e pranishme apo e përfaqësuar.
Kështu ka njoftuar Kryeministria e Kosovës për takimin bilateral që u mbajt në objektin e Qeverisë të Kosovës, më 25.11.2024.
Përveç kësaj, u njoftua se në takim është biseduar edhe për domosdoshmërinë e bashkëpunimit dhe ndërveprimit ndërmjet dy kuvendeve respektive.
Kryeministri Kurti pos që ka zhvilluar një takim bilateral, ka pasur edhe një takim tête-à-tête me kryetarin Gashi.
Kryeministri veçoi nevojën e ratifikimit në afat optimal të të gjitha marrëveshjeve që dalin nga bashkëpunimi bilateral, përfshirë edhe ato të Procesit të Berlinit, shkruan Zyra e Kryeministrit.
“U theksua gjithashtu vlera e shtuar e protokollit dhe dy memorandumeve të mirëkuptimit që Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut nënshkruan në mbledhjen e dytë të përbashkët, e cila u mbajt më 18 nëntor në Prishtinë, si dhe intensifikimi i punës në realizimin e projekteve infrastrukturore që lidhin dy vendet”- shkruan në komunikatë.
Gashi është takuar edhe me homologun e tij në Kosovë, Glauk Konjufca.
“Në pritjen që i bëri homologut të tij Gashi, kryeparlamentari Konjufca shprehu bindjen se takimet dhe angazhimi i përbashkët i shërbejnë rritjes së bashkëpunimit të shkëlqyer midis Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke i konsideruar ato si përpjekje për më të mirën e qytetarëve tanë”- njofton Kuvendi i Kosovës.
Sipas njoftimit, në këtë takim, kryetari Konjufca dhe kryetari Gashi, diskutuan aspekte të ndryshme të parlamentarizmit dhe folën për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit midis institucioneve legjislative.
“Gjithashtu, biseduan edhe për çështje të tjera të interesit të përbashkët, duke përfshirë rrugën e integrimeve evropiane, zhvillimin ekonomik, tregtar dhe stabilitetin e rajonit tonë”- thuhet në komunikatë.
Kosova dhe Maqedonia e Veriut i kanë nënshkruar dy marrëveshje bashkëpunimi gjatë takimit të përbashkët ndërqeveritar të mbajtur në periferi të Prishtinës, më 18.11.2024.
Marrëveshjet mes dy vendeve fqinje u nënshkruan në fushën e energjisë dhe arsimit, krahas një protokolli për lehtësimin e lëvizjes së lirë në pikat kufitare mes dy vendeve.
Kosova dhe Maqedonia e Veriut nënshkruajnë dy marrëveshje dhe një protokoll