Kosova ia dorëzon Serbisë mbetjet mortore të tre personave

Serbia ka pranuar nga Kosova mbetjet mortore të tre personave me kombësi serbe, të cilët kanë vdekur gjatë luftës në Kosovë në fund të viteve të 90-ta.

Njoftimin e bëri Komisioni i Qeverisë së Serbisë për Persona të Zhdukur. Dorëzimi i mbetjeve mortore është bërë përmes vendkalimit kufitar në Merdare. Siç thuhet, eshtrat e viktimave u morën në emër të familjeve nga përfaqësuesit e delegacionit të Beogradit në Grupin Punues për Personat e Zhdukur.

Në njoftim nuk bëhet e ditur se nga cili lokacion janë zhvarrosur këto mbetje mortore. Sipas deklaratës, procedura e zhvilluar të premten është pjesë e vazhdimit të procesit të identifikimit dhe zgjidhjes së fatit të viktimave dhe personave të zhdukur me kombësi serbe në Kosovë.

Më 26 tetor 2018, delegacionet e Beogradit dhe Prishtinës miratuan procedurat për dorëzimin e eshtrave të viktimave. Marrëveshja ishte njoftuar pas takimit të Grupit Punues mes delegacioneve të Kosovës, Serbisë dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Beograd.

 

Krerët e delegacioneve pjesëmarrëse, Ibrahim Makolli, Veljko Odaloviq dhe Fabien Bourdieu, patën thënë se ata prisnin që procedurat e miratuara do të ndihmojnë procesin e gjetjes së personave të zhdukur.

Sipas një raporti të lëshuar nga Qendra për të Drejtën Humanitare, me bazë në Beograd, dhe i bazuar në një raport të Zyrës së UNMIK -ut për Personat e Zhdukur dhe Mjekësinë Ligjore, që nga viti 2001 në Serbi janë zbuluar katër varreza masive me 941 trupa të shqiptarëve të vrarë në Kosovë më 1999.

Çështja e ta pagjeturve ka qenë pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Në shtator të vitit 2020, zyrtarët e delegacionit të Kosovës kishin deklaruar se është arritur me Serbinë një marrëveshje për të pagjeturit. Por, ata nuk patën sqaruar detajet e marrëveshjes./REL