Foto: Facebook/Armend Mehaj

Kosova i ofron Amerikës bazë të përhershme ushtarake

Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, i ka ofruar bazë ushtarake të përhershme Ushtrisë Amerikane në Kosovë.

Mehaj ka thënë se këtë ofertë e ka bërë në mënyrë që të avancohen marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Amerikës.

“Në kuptim të avancimit të partneritetit të përhershëm, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Nën-Sekretarit Kahl i ofrova mundësinë për krijimin e një baze ushtarake të përhershme të Ushtrisë Amerikane në Kosovë, duke vlerësuar se do t’i kontribuonte shumë paqes dhe stabilitetit rajonal në Ballkan”, ka shkruar Mehaj.

Tutje, Mehaj në publikim e tij ka thënë se nga nën-Sekretarit Kahl ka marrë falënderime për aksionin humanitarë për strehimin e përkohshëm të shtetasve afganë.

Gjithashtu Mehaj ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë theksuar mbështetjen e vazhdueshme për avancimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Nënsekretari Kahl, gjithashtu, ka theksuar se përkrahja për avancimin e kapaciteteve të FSK-së do të jetë e vazhdueshme, ndërkohë që ka vlerësuar pozitivisht edhe përgatitjet për misionet paqeruajtëse të radhës, duke e rritur kështu edhe më shumë rolin e Republikës së Kosovës si kontribuese e paqes edhe në aspektin e sigurisë globale. Zoti e bekoftë SHBA-në dhe miqësinë tonë të përjetshme!”, thuhet më tej në publikim.