Foto: BQK

Kosova fiton rastin kundër “Iute Credit” në Arbitrazh Ndërkombëtar

Kosova ka fituar rastin kundër institucionit mikrofinanciar “Iute Credit”, të cilit i është marrë licenca nga Banka Qendrore e Kosovës.

“Iute Credit” më pas e kishte dërguar Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë.

Ish-zv.guvernatori i BQK-së, Sokol Havolli, njoftoi për fitimin e rastit përmes një postimi në Facebook.

“Insistimi jonë për ligjshmëri dhe vetëm ligjshmëri në vendimet tona u konfirmua si i drejtë edhe nga arbitrazhi ndërkombëtar. Ne insistuam ne ligjshmëri edhe kur u sulmuam në mënyre te paskrupullt nga qarqe te ndryshme, madje edhe me pozicione te rëndësishme publike, brenda vendit”- shkruan Havolli.

Ai ka thënë se me autorizimin e guvernatorit Fehmi Mehmeti, ka udhëhequr ekipin që, sipas tij, i ka shpëtuar Kosovës 30 milionë euro.

“Prandaj, ndjehem shume krenar që, me autorizimin e Guvernatorit Fehmi Mehmeti, udhëhoqa ekipin me te cilën i’a shpëtuam Kosovës 30 milionë euro, i mbrojtëm qytetarët e Kosovës nga abuzimi financiar dhe ruajtëm stabilitetin financiar në vend. Kjo dëshmon punën e ndershme dhe të përgjegjshme në shërbim të Republikës tonë”- është shprehur Havolli.

Havolli kishte dhënë dorëheqje nga posti i zëvendësguvernatorit të BQK-së në gusht të këtij viti.

KALLXO.com ka siguruar letrën përmes së cilës e ka parashtruar dorëheqjen e tij.

Në këtë letër drejtuar kryetarit të bordit dhe guvernatorit të BQK-së, Sokol Havolli, ka thënë se ndër arsyet e dorëheqjes janë presionet e pakuptimta politike që nga dhjetori i vitit të kaluar dhe sulmet ndaj menaxhmentit e anëtarëve të bordeve të kaluara.

Sokol Havolli për katër vite ka mbajtur pozitën e zv.guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, ndërsa zgjedhja e tij në këtë pozitë ishte përcjellë me polemika.

Institucioni mikrofinanciar “Iute Credit”, të cilit i është marrë licenca nga Banka Qendrore e Kosovës, në vitin 2020 e kishte dërguar Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë.

“Pasi që Banka Qendrore e Kosovës nuk ka dhënë një shpjegim ose zgjidhje në lidhje me heqjen e papritur dhe të paligjshme të licencës nga Iute Credit Kosova, kompania mëmë ka paraqitur një kërkesë për arbitrazh në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë”, thuhet në njoftimin e Iute Credit.

Drejtori i Përgjithshëm i IuteCredit Europe, Tarmo Sild thotë se Ligji mbi Investimet e Huaja saktëson qartë se e lejon një investitor të huaj që është trajtuar padrejtësisht, në vend që të përdorë mjete juridike vendore, të ndjekë arbitrazhin.

“Iute Credit” e dërgon Kosovën në Arbitrazh