Ekipi i Kosovës në ragbi, Foto: Federata e Ragbit e Kosovës/Facebook

Kosova fiton Estoninë në ragbi, estonezët nuk shënuan asnjëherë

Federata e Ragbit të Kosovës, ka njoftuar se kombëtarja e Kosovës ka shënuar fitore ndaj kombëtares së Estonisë.

Sipas njoftimit të kësaj federate, Kosova e ka mposhtur Estoninë me një rezultat të thellë prej 34 me 0.

Federata e Ragbit ka theksuar se fitorja e Kosovës ka ardhur si rezultat i një loje të shkëlqyer ofensive.

“Historia është shkruar. Djemtë tanë e lanë qershinë mbi torte në lojën e fundit për këtë garë historike. Kjo fitore do të thotë shumë për ekipin tonë dhe rrugëtimin që e kemi bërë deri më tani! Ju faleminderit djema, jemi krenarë me ju. Krenari. Përkushtim. Përmirësim”, thuhet në njoftim.

Ndeshja është luajtur në kuadër të Conference 2 – Rugby Europe që po zhvillohet në Maltë.

Ndeshjen e parë në kudër të kësaj gare, Kosova e ka zhvilluar kundër Sllovenisë, nga e cila është mposhtur me rezultat 22 me 5. Më pas Kosova ka luajtur kundër Maltës, Sllovakisë, San Marinos dhe Estonisë.

Federata e Ragbit të Kosovës është themeluar në vitin 2019. Nj nga mbështetësit kryesor të kësaj federate në fillimet e saj ka qenë ish-ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell.