Festivali botëror të filmave dhe dokumentarëve sportiv 'Ficts 42nd World Championship Final 2024' | Foto: KOK

Kosova fiton çmim në Festivalin Botëror të Filmit Sportiv

Federata Ndërkombëtare e Kinemasë Televizive Sportive ka organizuar festivalin e 42-të Botëror të filmit sportiv, i cili është mbajtur më datat 5 dhe 9 nëntor të 2024, në Milano të Italisë.

Kosova është përfaqësuar nga tre dokumentarë në kategori të ndryshme, duke dalë fituese në kategorinë “Sporti dhe Shoqëria”.

Dokumentari “Rivaliteti hakmarrës ndërmjet tifozëve” me autore Albijona Hoxhaj nga ‘Betimi për Drejtësi’ është shpërblyer me çmimin “Mention D’Honneur” në kategorinë “Sporti dhe shoqëria”.

Autorja e dokumentarit, Albijona Hoxha për KALLXO.com ka treguar se ky dokumentar ka vendosur në fokus rivalitetin e tifozëve.

“Frymëzimi për krijimin e “Rivalitetit Hakmarrës mes tifozëve” erdhi nga përvojat e mia personale si tifoze sportive dhe nga vëzhgimi se si rivalitetet pasionante ndonjëherë mund të kalonin në situata të rrezikshme dhe të dhunshme”- ka thënë ajo.

Hoxhaj tregoi se si “një gazetare hulumtuese ka bërë që dhuna në sport,  të mos qëndroi vetëm si  një incident i izoluar, por diçka sociale, psikologjike që ndërlidhet me shumë faktorë tjerë e që duhej të trajnoheshin.”

Dhuna dhe agresiviteti që është shfaqur nga tifozëritë në palestra, fusha futbolli, ka bërë që shumë herë të mbyllen tribunat dhe tifozët të largohen, thotë Albijona Hoxhaj.

“Megjithatë, si autore, isha e vetëdijshme për përgjegjësinë që kishim për ta trajtuar me kujdes këtë temë. Ne nuk donim të sensacionalizonim apo glorifikonim dhunën në asnjë mënyrë, as të krijonim një narrativë që mund të nxiste më shumë dhunë. Në vend të kësaj, ne u fokusuam në sigurimin e fakteve dhe të sillnim një perspektivë nga të gjithë të përfshirët” – ka thënë Hoxhaj.

“Dokumentari tregon për mungesën e legjislacionit adekuat e që fatmirësisht pas hulumtimit veç është miratuar Ligji për Sportin i cili ka qenë në proces, brenda dokumentari atakohet edhe infrastruktura e dobët që mundëson të ndodhin incidentet të tilla, dështimi në siguri, përfshirja e fëmijëve në ultras apo grupe të ndryshme ku nxitin gjuhën e urrejtjes” – ka vazhduar ajo.

Hoxhaj përfundon duke na treguar për ndjenjat e saj për fitimin e çmimit ‘Mention D’Honneur’ në mesin e gjithë atyre dokumentarëve të tjerë e thotë vetë autorja.

“Kjo njohje do të thotë shumë, jo vetëm për shkak të çmimit, por sepse thekson ndikimin edhe rëndësinë e këtij hulumtimi, jo vetëm në Kosovës por edhe përtej kufijve” – thotë Hoxhaj.

Dokumentari “Legjenda e ringut” nën autorësinë e Dukagjin Rudarit, ishte po ashtu pjesëmarrësh në këtë edicion.

“Si ide, tash e disa vite e kam menduar fillimin e një cikli të dokumentarëve për njerëzit me peshë në sportin tonë, prandaj pashmangshëm kësaj liste i prinë Mehmet Bogujevci me arritjet që ka në boks” – thotë Rudari.

“Punimi i këtij dokumentari është që tëe kemi një rikujtim të atyre që kanë bërë shumë në të kaluarën për të sjell pak entuziazëm e kënaqësi te një popull i okupuar përmes sportit, pavarësisht kushteve të vështira” – thotë gazetari Dukagjin Rudari.

“Bogujevci është dëshmi e asaj që boksi si sport dhe disiplina e tij, tejkalon ringun dhe atë që paraqitet aty, prandaj secili personazh që flet për z.Bogujevcin, më shumë flet për madhështinë, qetësinë dhe humorin e tij jashtë ringut, sesa atë që ka dhënë në ring, e që besoj se duhet ta ketë secili boksier duke tejkaluar atë që bën në ring” – tregon Rudari.

Dukagjin Rudari ka treguar për ecurin dhe zhvillimin e këtij dokumentarit dhe për përzgjedhjen në mesin e 130 vendeve që dokumentari të shfaqet në këtë festival.

Dokumentari tjetër, “Ëndrra e Referit”, me skenar dhe regji  të Skender Sadiku, është shfaqur po ashtu në festivalin botëror të filmave dhe dokumentarëve sportiv “Ficts 42nd Ëorld Championship Final 2024”, i mbajtur në Milano.

Autori i dokumentarit, Fatmir Hajzeri, për KALLXO.com ka thënë se ky dokumentar i kushtohet referit Ismet Sejdiut.

“Dokumentari tregon për ëndrrën e Ismetit dhe sakrificat jo vetëm të tij, por të gjithë akterëve të asaj kohe të vështirë dhe përçon mesazhin se gjeneratat të tëra janë flijuar për lirinë e këtij vend dhe lirinë e sportit” – thotë Hajzeri.

Hajzeri thotë se Ismet Sejdiu ishte një prej referëve më të dalluar në kohën e pavarësimit të futbollit të Kosovës, në vitet 1990-1998.

Autori i këtij dokumentari ka treguar se “realizimi i dokumentari ka zgjatur rreth dy vite dhe është mbështetur nga Federata e Futbollit të Kosovës, Komuna e Mitrovicës dhe TV Mitrovica”.

“Premiera është pritur ngrohtësisht dhe shpresoj që ky dokumentar të përcjellët edhe në festivale tjera ndërkombëtare të dokumentarëve sportiv”- tha Hajzeri.

“Dokumentari është i gjatë 41 minuta dhe pjesa më e rëndësishme janë mesazhet nga aktorët pjesëmarrës, të cilët dokumentojnë vuajtjet e gjeneratës së sakrificës të viteve të 90-ta”- ka shtuar Hajzeri.

Tutje autori i dokumentarit shtoi se “premiera e dokumentarit “Ëndrra e Referit”, fillimisht është mbajtur në Mitrovicë, më pas në Prishtinë nën organizimin e Komitetit Olimpik të Kosovës, ku është përzgjedhur të përfaqëson Kosovën në Itali”.

Regjisorit dhe skenaristi i dokumentarit, Skender Sadiku tregon se referi Ismet Sejdiu mishëron sakrificën e një gjenerate të tërë të punëtorëve sportiv që “mbajtën gjallë” sportin kosovar gjatë okupimit serb.

“Dokumentari është dëshmi e një lufte të madhe të punëtorëve sportiv, të cilët mbajtën gjallë ëndrrën për liri dhe pavarësi të sportit”-ka thënë Sadiku.

Ai shtoi se “mesazhi kryesor është se kjo liri që e gëzojmë sot është sakrificë e një armate të madhe punëtorësh sportiv, të cilët derdhën lot, djersë e gjak”.

Ismet Sejdiu ishte gjyqtar federativë në ish-Jugosllavi, ka referuar Ligën e Dytë për një kohë të gjatë, e më pas ishte edhe një kontribuues edhe në futbollin kosovar.

Ai ishte vrarë më 14 prill të vitit 1999 nga forcat paramilitare serbe në masakrën në rrugën e Kovaçëve në lagjen Bair të Mitrovicës.

Shënim: Artikulli është edituar më 15.11.2024, ora 10:20.