Kufiri Kosovë- Maqedoni e Veriut

Kosova ende nuk ka datë për hapjen e kufirit me Maqedoninë e Veriut

Ende nuk është marrë vendim se kur do të hapën kufijtë me Maqedoninë e Veriut.

Ndonëse  ky shtet ka dhënë dritën e gjelbër se mund t’i hapë kufijtë me 1 qershor, Kosova ende nuk ka datë. Lidhur me këtë zëdhënësi i qeverisë së Kosovës në detyrë, Përparim Kryeziu për portalin rtv21. tv  tha se janë në pritje të fillimit të fazës së tretë të lirimit të masave me 1 qershor.

Ai tregoi se një gjë e tillë kryeministri në detyrë, Albin Kurti i ka bërë të ditur edhe kryetarit të Unionit Social Demokratik të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev përmes një bisede telefonike që zhvilluan para dy ditësh.

“Gjatë fazës së tretë do të ketë rivlerësim të lirimit të masave me rekomandim të IKSHPK-së  mandej Ministria e Shëndetësisë i propozon qeverisë hapjen a po jo të kufjive dhe mbi atë mirret edhe vendimi”, tha Kryeziu.

Në anën tjetër ekspertët e Komisionit për sëmundje infektive në Maqedoninë e Veriut kanë propozuar se kufijtë e këtij shteti me shtetet e rajonit duhet të hapen me 1 qershor, ndërsa Qeveria e Maqedonisë së Veriut ende nuk e ka miratuar këtë propozim. /21Media