Kosova ende nuk ka aplikuar në NATO

Shteti i Kosovës ende nuk ka aplikuar formalisht për anëtarësim në organizatën më të madhe të sigurisë në botë – NATO.

Këtë për KALLXO.com e konfirmoi shefi i komunikimit strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes, kolonel Sefer Isufi.

Prej disa ditësh, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj nisi një fushatë në formë kërkese në rrjete sociale, duke thënë se “është koha që Kosova të anëtarësohet në NATO”.

Por, një kërkesë të tillë, vetë Mehaj, por as institucionet tjera të vendit, nuk e kanë formalizuar.

“Jo, ende nuk kemi aplikuar zyrtarisht por një veprim i tillë do të bëhet së shpejti nga niveli më i lartë i politikëbërjes dhe vendimmarrjes të institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë kolonel Isufi nga Ministria e Mbrojtjes.

“Gjithë kjo do të bëhet në bashkëpunim dhe koordinim paraprak me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar dhe aleatet e tjerë”, tha ai.

Sipas kolonelit Isufi kërkesa do të bëhet që anëtarësimi i vendit në NATO të bëhet me procedurë të përshpejtuar.

“Procedurat standarde për anëtarësim në NATO ne i njohim, mirëpo, kërkesa jonë është për procedim të shpejtë, me procedura të përshpejtuara për anëtarësim në NATO për shkak të situatës së krijuar, pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe reflektimit të kësaj situate në Ballkanin Perëndimor, respektivisht në mjedisin e Ballkanit Perëndimor”, thotë Isufi.

Sot janë bërë gjashtë ditë prej kur një vendim i presidentit rus, Vladimir Putin, prodhoi një luftë të re në kontinentin e Evropës.

Të dielën, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se “kemi frikë se Rusia nuk do të ndalet në Ukrainë”, duke shtuar se pushtimi rus i Ukrainës mund të përhapet në vendet fqinje, duke përfshirë Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Ballkanin Perëndimor.

Rrezikun për Ballkanin Perëndimor e kanë parashikuar edhe njohës të çështjeve ushtarake dhe të sigurisë duke thënë se siguria e Kosovës mund të cenohet. Sipas tyre, pikë kritike është veriu i vendit.

Sot gjatë ditës, në një përgjigje për KALLXO.com, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) tha se angazhimi në Kosovë nuk ka ndryshuar.

Qëndrimi i misionit të KFOR-it në Kosovë, sipas NATO-s, nuk ndikohet nga koha por nga një realitet i ri.

“Çdo ndryshim në qëndrimin e forcës sonë të KFOR-it mbetet i bazuar në kushte dhe jo i drejtuar nga kalendarët”, thotë NATO.

Shefi i komunikimit strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes, Sefer Isufi, thotë se aplikimi për anëtarësim në NATO do të bëhet në koordinim me partnerët strategjikë. Por, aktualisht fokusi i Ministrisë është që të angazhohen në një fushatë e cila synon të sjellë njohjen nga shtetet që nuk e kanë njohur ende Kosovën.

“Ne fokusin e parë e kemi që ta sensibilizojmë opinionin e përgjithshëm por edhe autoritetet relevante të vendimmarrjes politike dhe ushtarake, të themi një fushatë për njohjen e Republikës së Kosovës nga pesë shtetet mosnjohëse, në këtë rast, për anëtarësim në NATO janë katër shtete mosnjohëse”, thotë Isufi.

Ai ka përmendur disa shtete të cilat nuk e njohin pavarësinë e vendit tonë e të cilave, sipas tij, do t’u kërkohet një gjë e tillë.

“Kërkesa do të adresohet për Spanjën, Greqinë, Rumaninë dhe Sllovakinë, pasi që ne e dimë që vendimmarrja për anëtarësim të një shteti të ri në NATO kërkon një qëndrim unanim, pra të të gjithë anëtarëve në NATO”, deklaroi kolonel Sefer Isufi.

Në anën tjetër, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi se vendi i tij do ta mbështesë Kosovën ashtu siç kishte bërë në kohën kur e njohu pavarësinë e vendit tonë.

“Sa i përket anëtarësimit në NATO, për ta mbështetur procesin e Kosovës këtu, Turqia nuk ka nevojë për të marrë leje nga askush, për ta ofruar këtë mbështetje. Ne kemi ndërmarrë hapat tanë ashtu siç i ndërmorëm në rastin e njohjes ashtu do të bëjmë edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO”, deklaroi presidenti Erdogan.

Erdogan: Turqia e përkrah hyrjen e Kosovës në NATO

www.kallxo.com