Pjesëtarë të FSK-së - foto nga arkivi

Kosova e Shqipëria të gatshme të përfshihen në mision eventual të drejtuar nga ShBA në Ukrainë

Me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara të shqetësuara gjithnjë e më shumë nga grumbullimi i trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën, disa vende të Ballkanit kanë shprehur gatishmërinë për të ofruar shërbimet e tyre në çdo përgjigje të mundshme të udhëhequr nga ShBA ndaj një pushtimi të mundshëm rus.

Presidenti i ShBA, Joe Biden dhe homologu i tij rus Vladimir Putin, pritet të bisedojnë sonte, ndërkohë që Ursula Von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian, paralajmëroi se çdo “agresion” rus kundër Ukrainës nuk do të mbetet pa përgjigje.

“Ne do t’i përgjigjemi çdo agresioni të mëtejshëm duke rritur dhe zgjeruar sanksionet ekzistuese”, tha Von der Leyen.

Ndërsa ShBA dhe NATO duket se nuk ka gjasa të bëjnë një përgjigje të madhe ushtarake ndaj një pushtimi të mundshëm rus të Ukrainës, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës tha se është e gatshme për të ndihmuar.

“SHBA si aleati ynë kryesor dhe i pazëvendësueshëm strategjik, njeh më së miri aftësitë dhe kapacitetet operacionale të FSK-së, dhe nëse vlereson se mund të angazhoj nga kapacitetet tona , ne siç jemi zotuar gjithmone, do te jemi të gatshëm plotesisht per te qene përkrahë tyre në secilin operacion në sherbim te paqes, sigurise dhe stabilitetit global”, tha Ministria në një përgjigje me shkrim për BIRN, duke vënë në dukje se forcat e Kosovës kishin “marrë pjesë aktive” me NATO-n në evakuimin e refugjatëve afganë.

“Aty ku eshte SHBA, aty eshte Kosova!”, thuhet më tej në përgjigje.

Kosova nuk është anëtare e NATO-s, pjesërisht sepse katër nga 30 shtetet anëtare të aleancës perëndimore – Rumania, Spanja, Sllovakia dhe Greqia – nuk e njohin pavarësinë e saj. As Ukraina.

Shqipëria, e cila u bë pjesë e NATO-s më 2009, ka lënë të kuptohet gjithashtu se është e gatshme të marrë pjesë në çdo mision të ardhshëm të NATO-s në Ukrainë.

“Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të mbështesin çdo vendim që marrin ShBA-ja dhe NATO”, tha të hënën koloneli i Forcave të Armatosura, Ardian Lulaj, për Report TV me bazë në Tiranë.

“Nëse kërkohet, ne do të bashkohemi sepse pjesëmarrja në NATO nuk ka të bëjë vetëm me marrje, por edhe me dhënie”, tha ai. “Ju siguroj se ushtarët janë gjithmonë gati”.

Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë të dy anëtarë të NATO-s, por nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN-it në lidhje me situatën në Ukrainë.