Kosova e Shqipëria shkatërrojnë një grup të trafikimit të armëve - Prokuroria Speciale jep detaje

Një grup kriminal i trafikut të armëve mes Kosovës dhe Shqipërisë është shkatërruar ka njoftuar Prokuroria Speciale e Kosovës.

Sipas komunikatës së të tyre, janë lëshuar 14 urdhër arreste dhe janë sekuestruar armë e municione.

Hetimet për këtë rast kanë zgjatur mbi nëntë muaj, të cilat u kryen në bashkëpunim mes institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale, më 10 dhjetor 2024, Policia e Kosovës ka zhvilluar në teren një plan operativ, me ç’rast janë kryer urdhërkontrollë në nëntë (9) lokacione pronë e të dyshuarve”- thuhet mes tjerash në komunikatë.

Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar 29 pistoleta, tri armë të gjata, 2 mijë e 635 fishekë, dy automjete dhe pajisje të tjera.

Në kuadër të këtij operacioni, janë arrestuar tetë persona dhë janë dërguar në mbajtje.

Gjastë prej tyre kosovarë kurse dy të tjerë shtetas të Shqipërisë.

“Personat e arrestuar janë: V. O., K. K., S. H., Sh. J., A. H., Z. A., A. D., B. A.”- thuhet tutje në komunikatë.

Më 11.11.2024 u zhvillua operacioni për ekzekutimin e urdhrave të ndalimit për 6 persona dhe kontrollimi i banesave për 7 vende.

“Gjatë këtij operacioni u ndaluan për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit” e kryer në bashkëpunim dhe “Trafikimi i armëve dhe municionit” e kryer në bashkëpunim të parashikuar nga neni 278/5/ dhe 278/a/2 i K.Penal të 6 personave:  E.M. E.P. A.M. G. Ll. K.M. dhe T.Sh.”– thuhet në komunikatë.

Gjatë këtij operacioni 22 armë zjarri ‘Zoraki’ u sekuestruan, një armë AK 47, një granatë dore, 470 fishekë, 3 automjete, 10 telefonë dhe para.

Prokuroria Speciale thotë se në prill të vitit 2024 pranoi informacione me dyshimet se persona nga Shqipëria e Kosova po merren me import, eksport, furnizim, transportim, ndërmjetësim dhe shtije të paautorizuar të armëve apo materialeve plasëse.

Pas marrjes së informacioneve filluar hetimet përmes së cilave u dokumentuan raste të shitjes së armëve të zjarrit.

Hetimet sollën edhe nënshkrimin më 28.06.2024 të një Marrëveshje për Themelimin e Ekipit të Përbashkët Hetimor, hetime që u mbështetën nga EUROJUST dhe EUROPOL.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës do të vendosë për veprime të tjera, në koordinim me autoritetet kompetente të Republikës së Shqipërisë, varësisht nga raportet të cilat do të rezultojnë nga këto bastisje”– thuhet në fund të komunikatës.

Aksion i përbashkët i Policisë së Kosovës dhe Shqipërisë, kapen me dhjetëra armë e municione