Foto: Xhelal Sveçla/Facebook

Kosova e ndalon në kufi rusen e akuzuar për spiunazh

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se në pikë kalimin kufitar në veri të Kosovës është ndaluar Daria Aslamova.

Sipas Sveçlës, shumë shtete e kanë vërtetuar se ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar në petkun e gazetares.

“Sot, në pikë kalimin kufitar në veri të vendit është ndaluar Daria Aslamova. Shumë shtete e kanë vërtetuar se ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar në petkun e gazetares. E njëjta ka marrë pjesë edhe në luftimet në Ukrainë duke propaganduar mbi pushtimin rus ndaj Ukrainës”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka bërë të ditur se autoritetet e Kosovës janë në dijeni për veprimtarinë e saj por që sipas ministrit Sveçla, edhe se në disa shtete ajo e ka të ndaluar të hyjë për shkak të veprimtarisë së saj.

“Autoritetet e Republikës së Kosovës kanë qenë në dijeni për veprimtarinë e saj por edhe se në disa shtete ajo e ka të ndaluar të hyjë për shkak të veprimtarisë së saj. Me këtë rast, ajo është ndaluar dhe po vazhdon angazhimi i akterëve përkatës deri në zbardhje të qëllimeve të saj”, njofton ministri.

Më tej, Sveçla ka theksuar se Aslamova ka tentuar të hyjë në Kosovë, një javë pas tensioneve të shkaktuara në veri të vendit.

“Theksojmë faktin se ajo tenton të hyjë në Republikën e Kosovës një javë pas tensioneve të shkaktuara nga strukturat kriminale në veri të vendit dhe në të njejtën ditë kur të njejtat struktura që orkestrohen nga Vuçiqi kanë shtënë rreth 10 herë drejt zyrtarëve tanë policor. Tentimi i saj për të hyrë në vendin tonë përveç që përkon me zhvillimet në veri të vendit, i dëshmon qartë lidhjet dhe propagandën ruse të cilës i është bashkuar tashmë Serbia dhe që kanë për qëllim destabilizimin e vendit tonë”, është shprehur Sveçla.