Kosova e Maqedonia e Veriut vendosin ta ndërtojnë lidhjen mes Brezovicës dhe Kodrës së Diellit

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev pas mbledhjes me Qeverinë e Kosovës e ka quajtur këtë të enjte, ditë të frytshme.

“Sot rezultatet janë për interes të qytetarëve të të dyja shteteve dhe besoj që na paraprinë ministrat bashkë me institucionet që të implentojmë marrëveshjet e vendosura sot”, tha Zaev.

Ai shtoi se kjo mbledhje ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit mes dyja vendeve.

“Këtë mbledhje e konsideroj një impuls pozitiv për zhvillimin e mëtutjeshme dhe intensifikimin e marrëdhenieve tona dhe bashkëpunimin gjithëpërfshirës edhe pse kjo seancë e përbashkët në kushte të pandemisë, ajo është një shprehje e qartë e vullnetit tonë politik dhe të interesit të gjithë qytetarëve që të fuqizojmë marrëveshjet tona dhe bashkëpunim në të gjitha lëmit”, tha ai.

Sipas tij, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut e lidhin shumë gjëra, por edhe ekonomia.

“Në këtë takim si plan të parë kemi vendosur marrëveshjet dhe memorandumet për lidhjen infrastrukturore me qëllim që të mundësojmë edhe avancojmë bashkëpunimin ekonomik”, tha ai.

Ai shtoi se një nga marrëveshjet është edhe lidhja e Brezovicës me Kodrën e Diellit.

“Ka edhe marrëveshje që përfshijnë edhe projekte ndërkufitare, programe të BE-së, në energjetike, kulturë dhe avancimit të zhvillimit teknologjik. Për Maqedoninë e Veriut, Kosova është një nga partnerët më të mirë”, shtoi ai.

Qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, sot në Shkup në kuadër të seancës së përbashkët, kanë nënshkruar 11 marrëveshje bashkëpunimi.

Marrëveshjet kanë të bëjnë me sfera të ndryshme bashkëpunimi.

Të dyja vendet nënshkruan: Marrëveshjen për studimin e fizibilitetit për rrugën Prizren–Tetovë, marrëveshjet për bashkëpunim në sferën e diasporës, rregullimin kufitar të komunikacionit hekurudhor, bashkëpunim në sektorët e energjisë, turizmit, kontrollit të mallrave strategjike, inovacionit, zhvillimit teknologjik dhe ndërmarrësisë, dhe në qeverisje lokale.

Kjo është mbledhja e parë e përbashkët mes qeverive të dy vendeve.