
Foto: Kadetet/FSK
Kosova e Kanadaja nënshkruajnë Marrëveshje për Shkëmbimin e kadetëve
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka nënshkruar Memorandum bashkëpunimi për Shkëmbimin e kadetëve mes Qendrës për Studime Universitare të FSK-së dhe Kolegjit Ushtarak Mbretëror ‘Saint-Jean’ të Kanadasë.
Sipas njoftimit të FSK-së, Marrëveshja e nënshkruar mundëson bashkëpunimin mes dy Akademive, në shkëmbim reciprok të kadetëve, në kuadër të semestrave dhe viteve akademike.
“Si rezultat i kësaj nga semestri i dytë i vitit akademik 2024/2025 do të ndodhin shkëmbimet e para, në mes të dy Akademive reciproke.” – theksohet në njoftim.
Tutje, u shtua se kjo Marrëveshje do të ofrojë mundësi të zhvillimit të kadetëve të FSK-së, përparimin e mëtejmë të programit profesional “Nëntoger në Forcat e Armatosura” dhe rritjes së ndërverprueshmërisë së FSK-së.
“Nga fillimi i vitit 2025, kadetët e FSK-së do të kenë mundësi që të ndjekin studimet për një semestër në Kanada dhe të shkëmbejnë përvoja me kolegët e tyre nga Kanadaja dhe anasjelltas.” – vazhdohet në njoftim.
Gjithashtu, u tregua se si prioritet i komandantit të FSK-së, gjeneral Jasharit, ofrimi i mundësive ndërkombëtare për QSU-në, si dhe Programeve të Shkëmbimit të kadetëve synon rritjen e cilësisë së edukimit ushtarak dhe profesionalizmin e kadetëve e të oficerëve të Forcës së Sigurisë.
Nënshkrimi i kësaj Marrëveshjeje – sipas FSK-së – është domethënëse, pasi që mundëson që kultura e bashkëpunimit në shtete aleate të kultivohet qysh herët, në fillet e karrierës ushtarake si kadet.