Kosova e gatshme t’i ndihmojë Italisë për coronavirusin

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani në një konferencë për media ka thënë se Kosova është e gatshme t’i ndihmojë popullit italian për t’u përballur me pandeminë e Coronavirusit.

“Unë atëherë kam thanë në rastet e para të Coronavirusit në Itali se ne jemi të gatshëm si epidemiologë të shkojmë në Itali duke mos pasur situatën tonë të ngarkuar këtu. Edhe sot e përsëris që ne mund të shkojmë t’i ndihmojmë popullit vëlla italian. Rroftë populli italian, rroftë popullit shqiptar i Kosovës”, tha në mes tjerash Ramadani.

Këto komente, Ramadani i tha pas një takimi që kishte me ambasadorin italian në Kosovë.

Ai poashtu ka thënë se Kosova ka rekordin e nxjerrjes së rezultateve për testet e Coronavirusit.

“Ne e kemi rekordin botëror të daljes së rezultateve, me 4 orë. Kina e ka pasur 2 javë, pastaj e ka zbritë në 3 ditë. Ne tash e kemi 4 orë”, tha tutje Ramdani.